Të Infektuar: 100.655

Të Shëruar: 85.842

Të Vdekur: 2.053

​Aparati i radioterapisë në defekt, pacientët me kancer mbesin pa shërbime

16:50 | 25 Mars 2021

Pacientët e sëmurë nga kanceri nuk po mund të kryejnë shërbime radio-terapeutike.

Ata me ditë po duhet të presin për seancat e rrezatimeve, si shkak i prishjes së aparatit në Radioterapi. Nuk është hera e parë që pacientëve në këtë klinikë u duhet të ndërprenë këto seanca. Ndërkohë, që familjarët e tyre thonë se janë lodhur me këtë gjendje. Nga Klinika e Onkologjisë kanë deklaruar për KosovaPress se kjo po ndodhë për shkak të vjetërsisë së tij. Madje, gjatë vitit të kaluar kjo klinikë do të duhej të pajisej me aparaturë të re, por që kjo nuk kishte ndodhur si shkak i procedurave tenderuese.

S.G e diagnostikuar me kancer në zorrë të trashë duhet të kryejë 28 seanca rrezatimi dhe kimioterapi. Deri tash ka përfunduar katër të tilla, dhe ani pse që nga dhjetori është në listë për të vijuar me radioterapi, ajo është duke pritur.

“Që nga muaji dhjetor kam qenë në listë për me fillu radioterapinë. Fillimisht na kanë thënë ka shumë pacientë, pastaj është prishur aparati e përgjigje të ngjashme. Na kanë thirr për datën 12 që ka me fillu, e kam bërë seancën e parë, të enjten pasuese na kanë thënë që është prishur, dhe tash çdo ditë i thërrasim me pa a është rregulluar”, tregon S.G.

Këto pritje po e rëndojnë edhe më shumë gjendjen e saj. Ajo rrëfen për KosovaPress se ka frikë se sëmundja mund t’i avancojë. Ka fjalë të mira për personelin shëndetësor, ndërkohë që tregon se ka telashe edhe me sigurimin e disa barnave, me të cilat Onkologjia nuk është furnizuar.

“Pritja dy muaj për me fillua e tash ndërprerja janë shumë të mundimshme për mua, e shto këtu që edhe kam frikën që sëmundja mundet me avancuar. Kjo, përveç që më kushton mua kohë, stres dhe frikë, i kushton edhe shteti shumë. Në punën ku jam kam pushim me pagesë, këndej shtohet numri i atyre që presin dhe krejt këto kushtojnë. Përveç aparatit të prishur, edhe disa barna nuk kanë ardhur ende. Dhe askush nuk din asnjë përgjigje me na dhënë. Nuk duhet me harru me përmend, mjekët në këtë repart janë më të sjellshmit të mundshëm, nga kudo që shkon nëpër klinika, as në privat nuk janë aq profesional dhe të sjellshëm, por janë pajisjet dhe furnizimi me barna që mungojnë. E çdo ditë që presim shtohet numri i pacientëve, e pritja për secilin bëhet më e gjatë”, shton ajo.

Rrëfime të ngjashme mund të dëgjosh edhe nga shumë të tjerë. Por, më të lehtë nuk e kanë as familjarët e të sëmurëve. Nëna e A.S nga Vushtrria, tash e dy vjet po vuan nga sëmundja e kancerit të gjirit. Ajo tregon në kushte anonimiteti se të hënën, nëna e saj, kishte seancën e rrezatimeve, por që aparati i radio-terapisë ishte i prishur. Kjo nuk është hera e parë që ndodhë një gjë e tillë.

“Në repartin e radioterapisë (onkologji) personat qe janë duke marrë terapi me rrezatime pothuajse çdo jave prishet aparati. Personat që janë duke e trajtuar sëmundjen, duhet të ndërprenë seancat e rrezatimeve. Mjekimi i tyre nuk vazhdohet me disa javë, derisa të rregullohet aparati”, tregon ajo për KosovaPress.

Këtë e ka konfirmuar edhe vet drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi. Ai pohon se tash e tri ditë është prishur ky aparat, por thekson se janë në procedurë të instalimit të aparaturës së re të rrezatimit. Për të njëjtën thotë se ka marrë kohë, por zotohet se deri në fund të prillit kjo aparaturë do të instalohet.

“Kemi pasur këto tre-katër ditët e fundit një defekt me aparaturë, e cila është aparaturë e vjetër 2007. Krahas kësaj është duke u instaluar edhe aparati i ri, i cili e rrit kualitetin e trajtimit me rreze. Kjo aparaturë e cila ka qenë, është defekt, shpresojmë që nesër të rregullohet dhe pacientët të vazhdojnë trajtimin”, deklaron ai për KosovaPress.

Derisa për aparatin e vjetër thotë se mund të rregullohet nesër, ai pret që brenda muajit të instalohet i riu.

“Ne shpresojmë që nga fillimi i muajit maj, pacientët tanë do të jenë shumë më mirë të mjekuar me rreze. Kualiteti i shërbimeve do të jetë shumë më i mirë edhe nuk do të ketë as më vonesa dhe as prishje të aparaturës. Dhe pa pengesa sepse na kanë ndodhur në këto pesë-gjashtë vjetët e fundit”, shprehet ai.

Aparati i cili pritet të instalohet në fillim të muajit, ishte planifikuar për vitin e kaluar. Për këtë, udhëheqësi i Onkologjisë thotë për KosovaPress se ka qenë procedura tenderuese dhe se buxheti ishte i orientuar diku tjetër.

“Pajisja ka qenë në procedura tenderuese. Ne kemi punuar deri para një muaji, dy muaj me dy aparatura të cilat kanë qenë. Kërkesat i kemi bërë shtesë edhe për një aparaturë të re. Por, problemet që kanë ndodhur edhe me COVID vitin e kaluar dhe është orientuar buxheti diku tjetër… Buxheti do të thotë, sidomos vitin e kaluar ka qenë një vullnet që të marrim edhe një aparaturë të re. Shpresojmë që këtë vit Ministria e Shëndetësisë na suporton që edhe aparaturën e vjetër që e kemi ta zëvendësojmë brenda këtij viti… Është paraparë për vitin e kaluar, por janë realizuar procese tenderuese edhe aparatura shpresojmë të instalohet këtë vit”, shton ai për KosovaPress.

I pyetur se si ndikon ndërprerje e marrjes së kësaj terapie te pacientët, drejtori i Onkologjisë thekson se seancat do të vazhdohen pastaj. Në lidhje me këtë, KosovaPress ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Ministria e Shëndetësisë, por që nuk kanë pranuar të flasin.

Shërbimi i rrezatimit të Radioterapisë, në QKUK, është falas për të gjithë qytetarët.

Aparati i Radioterapisë do të duhej të kryente deri në 70 rrezatime në ditë. Gjatë vitit të kaluar, 1370 raste të reja janë regjistruar me kancer. Numri i atyre që kanë qenë të infektuar me COVID-19, ishte rreth 350 raste.