​AP: Serbia forcon bashkëpunimin me Rusinë, akuzohet për destabilizimin e Kosovës

Serbia po forcon aleancën e saj me Rusinë dhe Kinën, dhe së fundmi po armatoset me avionë luftarakë rusë dhe kinezë, dronë dhe sisteme kundërajrore, raportuan mediat e huaja për dërgesën e fundit të armëve nga Rusia, duke vënë në dukje se Serbia shpesh akuzohet për destabilizimin e Bosnjës, Malit të Zi dhe Kosovës.

Lajme

03/01/2022 18:34

Sipas Associated Press, shkrimi i së cilës u raportua nga media të tjera në botë, presidenti i Serbisë të hënën vlerësoi dërgesën e fundit të armëve nga Rusia, pavarësisht frikës në Ballkan se forcimi i ushtrisë së vendit mund të çojë në tensione të reja.

Vuçiq mori pjesë në një stërvitje ushtarake pranë Beogradit, e cila përdori sistemin kundër armaturës të blerë së fundmi “Kornet”, për të cilin ai tha se ishte një nga më të mirët e këtij lloji në botë.

“Korneti është një mjet i rëndësishëm mbrojtës për të penguar këdo nga agresioni i mundshëm ndaj vendit tonë”, tha Vuçiq.

AP thekson se Serbia shpesh akuzohet për “tronditje shpatash dhe bashkëpunim me aleatin sllav Rusinë në destabilizimin e Bosnjës dhe Hercegovinës fqinje, Malit të Zi dhe Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008”.

“Serbia akuzohet gjerësisht se me politikat e saj nacionaliste ka provokuar shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë në vitet 1990. Kohët e fundit, vendi është armatosur kryesisht me avionë luftarakë rusë dhe kinezë, dronë dhe sisteme kundërajrore”, shkruan AP në një artikull të titulluar “Serbia vlerëson dërgesën e fundit të armëve nga Rusia”.

Kujtohet se në muajt e fundit Rusia i ka dorëzuar Serbisë 30 tanke luftarake dhe 30 transportues të blinduar. Serbia gjithashtu bleu kohët e fundit sisteme të sofistikuara ruse të mbrojtjes ajrore Pantsir, si dhe helikopterë sulmues dhe transportues dhe dronë kinezë.

Edhe pse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, teksti thotë se Serbia ka refuzuar të harmonizojë politikën e saj të jashtme me bllokun 27-vendesh dhe në vend të kësaj ka forcuar aleancën e saj me Rusinë dhe Kinën.

Të hënën, Vuçiq tha se Serbia “mbetet në rrugën evropiane”, por shtoi se ai do të vazhdojë të “ushqejë” lidhjet e tij miqësore me Rusinë dhe Kinën.

Për t’u anëtarësuar në BE, Serbia ka nevojë për mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare të BE-së, por qeveria ka mbajtur marrëdhënie të ftohta me Kroacinë fqinje, anëtarja e fundit e re që i është bashkuar bllokut.

Sipas AP, Kroacia, e cila është një anëtare e NATO-s, është në një “mini garë armatimi” me Serbinë dhe së fundmi ka marrë gjashtë avionë luftarakë MiG-29 të përdorur nga Rusia dhe katër të tjerë nga Bjellorusia. Në nëntor, qeveria kroate njoftoi blerjen e 12 avionëve luftarakë Rafale nga Franca.