​​Shqipëria gjatë vitit 2019 është vizituar nga 200-mijë shtetas britanikë

23:43 | 7 Nentor 2019

Në Parlamentin Britanik është organizuar një pritje nga Kryetari i Grupit të Miqësisë me Shqipërinë, John Grogan në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë Shqiptaro-Britanike dhe Ambasadën e Shqipërisë në Londër.

Ky event kishte për qellim promovim e turizmit shqiptar dhe u mbajt me rastin e Panairit ndërkombëtar të udhëtimeve, që është organizuar po ashtu në Parlamentin Britanik.

Në këtë mbrëmje të ftuar ishin deputetë dhe afarist britanikë, përfaqësues nga Shqipëria dhe komuniteti shqiptar në Londër.

Deputeti britanik, John Grogan theksoi për Albuk Tv, kënaqësinë e tij që shumë vizitorë shqiptarë, kanë ardhur në Parlamentin Britanik për të qenë pjesë e këtij aktiviteti të rëndësishëm.

Grogan ka kujtuar vizitën e tij të parë në Shqipëri dhe vizitën e deputetëve shqiptarë në Parlamentin Britanik, si dhe ka folur për përkushtimin  tij për  të ndihmuar zhvillimin e demokracisë në Shqipëri. Ndërsa ka theksuar edhe bojkotimin që i kanë bërë deputetët demokrat Parlamentit shqiptar, e siç tha ai kjo nuk është hera e parë.

Ai po ashtu ka bërë një krahasim mes politikës në Shqipëri dhe politikës së Kosovës, apo siç e quajti ai Kosovën vëllai i vogël i Shqipërisë.

Ambasadori shqiptar në Londër,  Qirjako Qirko tha se qëllimi i këtij eventi është që të promovojë Shqipërinë në Parlamentin Britanik dhe kjo është hera e tretë që organizohet një aktivitet të këtillë.

Ai tha se Shqipëria gjatë këtij viti është vizituar nga 200-mijë shtetas britanik, që tregon një rritje të madhe të numrit të turistëve.

Ai tha se shtetasit britanik pas vizitës që bëjnë në Shqipëri, janë lobuesit më të mirë në Britani për turizmin shqiptar, sepse tregojnë përshtypjet e tyre pozitive për Shqipërinë.