Zyrtari i MBPZHR-së lirohet nga akuza për korrupsion, dënohen me gjobë të akuzuarit për mashtrim me subvencione – Lajmi.net
Zyrtari i MBPZHR-së lirohet nga akuza për korrupsion, dënohen me gjobë të akuzuarit për mashtrim me subvencione
Autori: Lajmi.net LajmeNacionale 11:55, 14 March 2018
Drejtori i drejtorisë për pagesa direkte në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural(MBPZHR), Luan Statovci, i cili akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare, të mërkurën, është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prizren.

Ndërsa, të akuzuarit për mashtrim me subvencione dhe falsifikim të dokumentit, Afrim Sallauka, Ermir Sallauka, Xhavit Sallauka, Iljaz Sopi, Alban Sopi, Veton Kabashi, Avni Palushi, Lulzim Palushi, Labinot Telaku, Xhemajli Sallauka dhe Fatos Hoti, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga 300 euro për secilën pikë të aktakuzës.

I akuzuari Afrim Sallauka është dënuar me 1200 euro, të akuzuarit Ermir Sallauka, Lulzim Palushi dhe Xhemajli Sallauka janë dënuar me nga 900 euro, të akuzuarit Veton Kabashi, Avni Palushi, Xhavit Sallauka, dhe Labinot Telaku, janë dënuar me nga 600 euro, ndërsa të akuzuarit Iljaz Sopi, Alban Sopi dhe Fatos Hoti, janë dënuar me nga 300 euro.

Aktgjykimin e ka lexuar kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, i cili ka thënë se trupi gjykues ka gjetur fajtor të akuzuarit për mashtrim me subvencione dhe falsifikim, ndërsa të akuzuarin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Luan Statovcin e ka liruar nga akuza.

Sejrani ka thënë se i akuzuari Statovci, është liruar nga akuza sepse gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është arritur të provohet se ai ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohej.

Pala e dëmtuar, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, ndërsa të akuzuarit janë njoftuar se nëse nuk e bëjnë pagesën e dënimit, çdo 20 euro nga gjoba do t’u zëvendësohet me një ditë burgim.

Po ashtu të dënuarit janë obliguar që secili të paguajë nga 100 euro në emër të shpenzimeve të procedurës dhe nga 50 euro në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Ndryshe, ky rast zhvillohej në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, me të cilën të pandehurit akuzoheshin se kanë falsifikuar dokumentin “Certifikata e vreshtarit” për të përfituar subvencione shtetërore, në mënyrë të paligjshme.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke u paraqitur rrejshëm në MBPZHR si kultivues të vreshtave, kanë përdorur “Certifikatat e vreshtarit” të falsifikuara, me ç’rast kanë përfituar subvencione në shumë deri 3 mijë euro, secili.

Ndërsa, zyrtari për pagesa në MBPZHR, Luan Statovci, akuzohej se pa verifikuar dokumentet e fermerëve dhe gjendjen në teren, ka lejuar të ekzekutohen pagesa direkte në emër të subvencioneve për aplikantët, me ç’rast i ka shkaktuar buxhetit të shtetit humbje në vlerë prej rreth 30 mijë euro.

Sipas organit të akuzës, Luan Statovci ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ndërsa të akuzuarit tjerë, veprën penale të mashtrimit me subvencione dhe falsifikimit të dokumentit.

Në këtë rast ka qenë i akuzuar për mashtrim me subvencione edhe Ardit Bajraktari nga Suhareka, por i njëjti, gjatë shqyrtimit fillestar, ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me gjobë prej 1400 euro. /betimiperdrejtesi.com/

Fotolajm

Rita, Dua dhe Era.
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO