Zyrtari i lartë i MD-së arrestohet për armëmbajtje pa leje

Tahir Demiri, ushtrues detyre i shefit të administratës në Shërbimin Korrektues të Kosovës është i arrestuari tjetër për armëmbajtje pa leje në pikën kufitare të Vërmicës.

Lajme

28/03/2017 11:10

 

Ai është arrestuar mbrëmë, së bashku me zyrtarin e lartë në Policinë e Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Jugut, për të cilin më herët u raportua.

Lajmi për arrestimin e Demirit është konfirmuar nga drejtori i Shërbimit Korrektues, Sokol Zogaj.

“Policia kufitare më ka lajmëruar rreth orës 23:30 se i ka ndaluar dy zyrtarë, njëri prej të cilëve zyrtar në Shërbimin Korrektues të Kosovës”, ka thënë Zogaj.

Ai ka shtuar se bëhet fjalë për drejtorin e administratës në SHKK, Tahir Demiri, ndërsa informacionet e para janë se ai është arrestuar për shkak se policia ka zbuluar një kallashnikov dhe një pistoletë pa leje

“Kam kërkuar nga ta që të më dërgojnë letër me shkrim dhe më pas do të shohim se çfarë do të ndërmarrim”, tha Sokol Zogaj për Kallxo.com