Zyrtari i lartë amerikan i shqetësuar nga iniciativa për formimin e Ushtrisë

Ministri Haki Demolli priti zëvendësndihmësin e sekretarit amerikan të shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike, Hoyt  Brian Yee. Zyrtari i lartë amerikan ka shprehur shqetësimin e për iniciativën për formimin Ushtrisë së Kosovës përmes Ligjit.

Lajme

29/03/2017 14:57

Në këtë takim, ministri Demolli e falënderoi zëvendës ndihmësin e sekretarit amerikan të shtetit për ndihmën që SHBA-të po japin për FSK-në. Ai gjithashtu vlerësoi lartë bashkëpunimin e dy shteteve dhe në veçanti  Partneritetin e Bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të Ajovës.

“Ministri Demolli e njoftoi Yee edhe me bashkëpunimin rajonal dhe atë ndërkombëtar, pjesëmarrjen e FSK-së në shumë trajnime me karakter rajonal, si dhe sukseset e arritura në garat ndërkombëtare. Gjithashtu ministri Haki Demolli, zotin Yee e njoftoi edhe për bashkëpunimin me DIRI-in në procesin e planifikimit të transformimit të FSK-së, si edhe me ecurinë e zhvillimit të procedurave për  projektligjin për zgjerimin e misionit të FSK-së”, thuhet në njoftimin për media, përcjell lajmi.net.

Poashtu bëhet e ditur se zyrtari i lartë amerikan ka shprehur shqetësimin e SHBA-së për iniciativën për formimin e Ushtrisë së Kosovës përmes ligjit.

“Nga ana e tij,  zëvendës ndihmësi i Sekretarit Amerikan të shtetit për Çështje evropiane dhe euro aziatike, Hoyt Yee, falënderoi ministrin Demolli për pritjen dhe përcolli mesazhin se Uashingtoni zyrtar është i shqetësuar rreth procesit të transformimit të FSK-së me ligj”, thuhet më tej në komunikatë, përcjell lajmi.net.

Në takim merrnin pjesë edhe zëvendësministri Muhamet Latifi dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, kurse zotin Yee, e shoqëronin atasheu ushtarak i SHBA-ve, në Prishtinë, kolonel Jeffrey  H. Fisher dhe këshilltari ushtarak Joshua Rubin. /Lajmi.net/