Zyrtarët rusë kanë shqetësime lidhur me protestuesit e rinj

Djaloshi 17-vjeçar Matvei i kishte ngritur supet kur ai dhe shokët e tij ishin marrë nga klasa, javën e kaluar, dhe ishin dërguar në sallën e shkollës së tyre në qytetin Tolati, në pjesën qendrore të Rusisë.

Bota

24/05/2017 14:07

“Ne e dinim se ata e kishin shfaqur atë film në shkollat e tjera”, i tha Radios Evropa e Lirë gjatë bisedës telefonike, ky nxënës i klasës së 11-të, i cili ka kërkuar që të shfrytëzohet vetëm emri i tij.

Kur u bë e qartë se doli se dyshimi i tij ishte korrekt, ata e kishin shfaqur një film, me të cilin opozita politike në Rusi ndërlidhej me fashistët dhe terroristët. Në atë moment, ai veproi sikur shumë nxënës të tjerë në këtë vend aktualisht në rrethana të ngjashme: e xhiroi këtë ngjarje në telefonin e tij mobil për të pasur dëshmi.

“Mendoj se është propagandë… propagandë e fshehtë, por megjithatë propagandë”, tha Mavei dhe ka shtuar se “kjo është e ndaluar në shkolla”.

Matvei dhe shokët e tij të klasës më vonë i postuan fotografitë në Internet, së bashku me diskutimin me drejtorin e shkollës, që ishte videoja e fundit në vargun e xhirimeve ku shiheshin nxënësit duke shprehur mospajtime me mësuesit e tyre lidhur me politikën opozitare dhe mençurinë e protestave në rrugë.

Videot në YouTube kanë hasur në interesim në gjithë Rusinë, duke e theksuar përleshjen e gjeneratave lidhur me kursin politik të Rusisë nën presidentin, Vladimir Putin, dhe përpjekjet e autoriteteve për ta forcuar besnikërinë e të rinjëve ndaj Kremlinit.

Zyrtarët mendojnë se si ta kufizojnë rininë

Pjesëmarrja substanciale e të rinjëve në protestat kundër korrupsionit në gjithë Rusinë, të organizuara nga lideri opozitar, Aleksei Navalny, në muajin mars të këtij viti, e ka tronditur ambientin politik në Rusi, duke i detyruar zyrtarët që të mendojnë se në çfarë mënyre efektive ta kufizojnë rininë, për të cilën një studim i ri thotë se thellësisht nuk i beson klasës sunduese politike.

“Qasja protestuese ekziston dhe ne duhet të punojmë me këta fëmijë protestues”, tha ministrja e Arsimit dhe e Shkencës, Olga Vasilyeva, në një forum në Moskë më 17 maj, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, TASS.

Ajo, më tutje ka theksuar se njerëzit e rinj nuk duhet të lejohet që të “përfshihen brenda aksioneve antisociale” ose “t’i nënshtrohen ndikimit të tmerrshëm të radikalizmit”.

Këto komente të ministres u bënë disa javë para protestave të reja në gjithë Rusinë, të paralajmëruara për muajin e ardhshëm nga lideri opozitar, Aleksei Navalny, 40-vjeçar, që është edhe një luftëtar i paepur kundër korrupsionit, i cili ka paralajmëruar se do të garojë për president në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Gjerësisht pritet që me këto zgjedhje presidentit Putin, 64-vjeçar, do t’i jepet edhe një mandat gjashtë vjeçar.

Të rinjtë i besojnë Navalnyt, Kremlini e cilëson si ekstremist

Stili i ri medial dhe mendjeprehtë i Navalnyt, dhe retorika e tij luftarake, së bashku me hetimet e ashpra për elitën sunduese në Rusi, e kanë bërë atë të besueshëm në mesin e të rinjëve, të cilët tregojnë pak interes për dogmat e Kremlinit, që reflektohen nga televizioni i kontrolluar nga shteti.

Zyrtarët rusë, mediat shtetërore dhe lojalistët e Kremlinit, synojnë ta portrezitojnë Navalnyn si ekstremist të rrezikshëm, duke e cituar bashkëpunimin e tij të mëhershëm me grupet e krahut të djathtë, përfshirë paraqitjen e tij në një miting ultarnacionalist, para disa viteve.

Në këtë kuadër, para protestave të 12 qershorit, janë paraqitur disa video në Internet, të cilësisë së mirë por me financim të mjegulluar, në të cilat nga të rinjtë kërkohet që të qëndrojnë larg nga protestat.

Në një video të postuar këtë javë, këngëtarja e pop muzikës, Alisa Voks, e përfundon një këngë me fjalët: “qëndro jashtë politikës, bejbi, shko kryej detyrat e shtëpisë”.

Në një tjetër video, gjendet një referencë e një këngëtari ku pretendohet ajo që sugjerojnë kundërshtarët e Navalnyt, se ai dhe kritikët e tjerë të Kremlinit, janë kukulla të Shteteve të Bashkuara.

 

Navalny e ka akuzuar Kremlinin për shfrytëzim të parave të taksapaguesve për t’i financuar videot, që së bashku i kanë siguruar afro 3 milionë shikime. Por aktorët në video i kanë hedhur poshtë këto akuza.

Në raportet e dy kompanive të mediave në Rusi, sugjerohet se ato ishin urdhëruar nga zyrtarët aktualë ose të dikurshëm të Rusisë. /REL/