Zyrtarët e lartë në Kosovës, të korruptuar dhe të pa mençur

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë,  Hasan Preteni thotë se niveli i korrupsionit në Kosovë është tepër i lartë dhe i shtrirë në dikasteret më të rëndësishme të Qeverisë, përfshirë edhe emra ministrash e zyrtarësh të tjerë të lartë.

Lajme

16/11/2014 14:52

Madje thotë se përveç të korruptuar ata janë edhe të pa mençur, sipas tij, ngase nuk dinë të fshehin korrupsionin, menjëherë blejnë vetura dhe gjëra luksoze.

Ai thotë se për korrupsionin në Kosovë flitet shumë, hetohet pak e nuk gjykohen fare.

Askush nga gjykatat nuk ka guxuar ti fajësojë ata (zyrtarët e lartë) përveç një rasti që është bërë publik më herët, thotë Preteni, ndaj dhe apeli i tij në emër të Agjencisë që drejton është që organet e akuzës të bëjnë publike emrat e zyrtarëve të akuzuar dhe të mos flasin vetëm me shifra e statistika që nuk zgjidhin asgjë.

Krahas shëndetësisë dhe arsimit, problemi më i madh i korrupsionit në Kosovë mbetet te fusha e prokurimeve, ku janë të përfshirë direkt zyrtarët e lartë.

Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë kundër Korrupsionit, në një intervistë për KosovaPress, ndërsa ishte i ftuar në Tiranë në një takim rajonal për luftën kundër korrupsionit, tha se që nga viti 2008 kohë kur është hapur Agjencia janë bërë rreth 1300 kallëzime nga qytetarët, dhe niveli i denoncimeve për këtë fenomen pritet të rritet vit pas viti.

Preteni ka konfirmuar se janë ngritur kallëzime penale edhe kundër ministrave, kryetarëve të komunave dhe drejtorëve të institucioneve të pavarura.

“Po, kemi ngritur kallëzime penale edhe kundër ministrave, kundër kryetarëve të komunave dhe kundër drejtorëve të institucioneve të pavarura, drejtor të ndërmarrjeve publike, gjyqtarë dhe prokurorë. Mendoj që në mesin e atyre 1300 kallëzimeve penale ka zyrtartë të lartë të të gjitha këtyre niveleve. Një aktivitet problematik është ai i tenderimit, prokurimit publik, ku përfshihen më shumë zyrtarët, ku edhe në kallëzimet tona penale në shumicën e rasteve janë përfshirë më shumë se 2 apo 3 zyrtarë”.

Preteni thotë se korrupsioni duket qartë te zyrtarët e lartë, pasi shumica e tyre nuk e kanë as mençurinë e duhur për të fshehur pasurinë, por menjëherë sa marrin një post blejnë automjete të shtrenjta, shtëpi luksoze e ndërrojnë krejtësisht stil jetese.

“Problemi në Kosovë është tek korrupsioni në nivele të larta, sepse qytetarët po i shohin produktet e këtij korrupsioni, po shohin që zyrtarët po pasurohen shumë dhe shpejt, dhe më pastaj këta zyrtarë nuk po hezitojnë, dhe po kanë probleme me mençurinë e tyre duke mos hezituar që pasurinë që kanë krijuar ta fshehin, ajo po del në shesh me automjetet e tyre, me shtëpitë luksoze me shndërrimin e stilit të jetesës, për një kohë të shkurtër. Sepse pagat nuk janë të larta por edhe po të jenë të larta për një kohë të shkurtër nuk mund të bënin shumë,” thotë Preteni.

Më tej Preteni tha se duhen bërë publike emrat e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion dhe të pushohen nga detyra deri sa gjykata të marrë vendimin për fajësinë ose jo të tyre.

“Mos të flasim vetëm për shifra por të flasim edhe për emra, dhe pastaj të bëhet edhe një presion nga publiku. Mendimi im është që kundrejt të gjithë atyre zyrtarëve që ngrihen aktakuza, duhet të largohen nga pozicionet e tyre deri në momentin që gjyqësori të jap fjalën e vetë që të mos jenë pjesë, dhe të japin e dhe një shembull në apsketin e integritetit, moralit dhe etikës, që është më mirë se kur ngrihet aktakuza duhet të pushohet nga detyra, në mënyrë që të mos ndikojnë rrethanat dhe të jetë një gjykim i pavarur, por emrat po mungojnë, ende nuk i kemi. Ne frigohemi, dhe është e vërtetë se në qoftë se publikojmë vetëm numrat nuk dimë në cilin nivel është korrupsioni, dhe sa zyrtarë janë ata”, thotë ai.

Sipas konkluzioneve të Raportit të Progresit dhe Transparence International, Shqipëria dhe Kosova kanë nivelin më të lartë të korrupsionit në Ballkan, raporton KosovaPress, transmeton lajmi.net.