ZYRTARE: Reagon Prishtina, i beson Josës!

Presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi, ka mohuar lajmin nëse është takuar mbrëmë me Gentian Mezanin, trajner nga Shqipëria.

Sport

18/09/2018 16:28

Gazeta Olle në burime të saj njoftoi se Ejupi ka qëndruar mbrëmë në Vlorë ku ka ndjekur takimin Flamurtari – Skënderbeu, derisa pas ndeshjes është takuar me ish-trajnerin e Flamurtarit dhe Laçit, Gentian Mezani.

Ejupi përmes një reagimi të publikuar nga FC Prishtina, ka mohuar lajmin.

“Nuk e njoh dhe as që jam takuar me personin në fjalë që paskan aluduar portalet, Gentian Mezanin. Në fakt, tash pse unë njoh shumë njerëz të sportit dhe jam i rrethuar me ta nuk ka asnjë domethënie. Takohem me shumë kë me të cilët kam miqësi, por edhe me të tjerë që mund të jenë afër tyre dhe kjo nuk do të thotë asgjë”, ka thënë Ejupi.

“Ne kemi kryetrajner, ai është Mirel Josa me të cilin kemi kontratë trevjeçare. Prishtina nuk është klub lagjesh që t’i ndërroj trajnerët çdo tre-katër javë apo për qefin e dikujt. Me Josen kemi projekt. Josa nuk ka ardhur të dëshmohet në Prishtinë. Ai është dëshmuar shumë më herët para nesh. Ai ka dëshmuar me sukseset në Shqipëri e sidomos me paraqitjet në Evropë. Ai ka ardhur që krejt atë bagazh të përvojës së tij të sjellë tek ne”, ka shtuar Ejupi.

Tek Prishtina i vetmi Mirel Josa që ka arritur të qëndrojë gati një vit në bankinë, pasi në tri vitet e fundit pikërisht pozita e shtabit teknik të Prishtinës ishte bërë supermarket për trajnerët.

Kujtojmë trajnerët e larguar që nga viti 2015: Ramiz Krasniqi, Sami Sermaxhaj, Lutz Lindemann, Arsim Thaqi, Kushtrim Munishi, etj.

Josa në dy ndeshjet e fundit ka barazuar me Prishtinën, ndërsa pas ndeshjes zhgënjyese me Ferizajn ai mori ofendime nga tifozët Plisat. Olle mëson se nëse ai nuk fiton me Gjilanin, do të shkarkohet ose do t’i detyrohet dorëheqja. /Lajmi.net/