Zyrtare: Munishi largohet nga Llamkos Kosova

Ismet Munishi ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit të Llamkos Kosovës, pas krizës financiare në të cilën gjendet klubi kampion i Kosovës në futboll.

Sport

25/10/2014 01:02

Ismet Munishi ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit të Llamkos Kosovës. Strategu i cili edicionin e kaluar ka fituar titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në futboll, është larguar nga detyra për shkak të krizës së rëndë financiare në klub.

Vendimin e ka publikuar Munishi në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

“I falënderoj GLADIATORËT të cilët ishin më meritorët për suksesin historik të klubit ku u shpallëm KAMPION. Vetëm ne trajnerët dhe lojtarët e dimë se për çfarë vështirësi dhe sfida kemi kaluar. E falenderoj FORCËN të cilët ishin përkrahja jonë e fuqishme jo vetëm në Vushtrri po në qdo stadium të Kosovës, e falënderoj JETON SADIKUN, Labinot Demi, Abdullah Kelmendi për bashkëpunim gjatë kësaj periudhe, e falenderoj trajnerin fantastik Bekim Shotani, Reshat Zymeri, Mensur Maxhunin, Ridvan Osmanin dhe Faruk Zeneli”.

“Unë jap DORHEQJE TE PAREVOKUSHME për arsye të cilat janë shumë mirë të njohura për opinionin, në pamundësi që me tutje ti motivoj lojtarët të cilët kanë duruar dhe sakrifikuar mjaft për ngjyrat e klubit duke luajtur pa paga qe 8 muaj. Në pamundësi që vet unë te ndikoj në përmirësimin e kushteve financiare, me shpresë që pas këtij mesazhi do të mblidhen njerëz që të ju ndihmojnë futbollistëve të cilët me sjellje angazhim dhe përkushtim kanë qenë shembull për të gjithë futbollistët e Kosovës”.

“Kalova çaste të mrekullueshme në një klub me shumë traditë e tani edhe me trofe. Në pamundësi që të jap më tepër sepse dhash edhe atomin e fundit për këtë klub i cili edhe mua më dha shumë edhe trofe edhe miqësi edhe eksperiencë të madhe në zejen e trajnerit, ju falënderohem nga zemra”, shkroi Munishi.