Zyrtare: La Liga bëhet me VAR në sezonin e ri

Edhe Spanja do të përdorë sistemin VAR duke nisur nga sezoni i ardhshëm.

Sport

02/03/2018 19:11

Federata e futbollit në vendin iberik, La Liga dhe Komiteti i Arbitrave zyrtarizuan akordin e arritur mes tyre, nëpërmjet një komunikate për shtyp, duke i dhënë fund të gjitha dyshimeve të ngritura së fundmi në lidhje me aplikimin e moviolës në fushë në futbollin spanjoll.

Ai që do të drejtojë këtë projekt do të jetë Carlos Velasco Carballo, ndërkohë që me të do të jenë edhe Clos Gomez dhe Sergio Sanches Castaner.

Velasco Carballo e ka kryer rolin e instruktorit të VAR-it edhe më parë, pikërisht për FIFA-n, kur u mor me formimin e arbitrave në këtë aspekt për aplikimin e këtij sistemi në Kupën Libertadores, ndërkohë që ai është edhe anëtar i Bordit Ndërkombëtar të FIFA-s. Ndërkohë mësohet se, kostot e implementimit të sistemit VAR do të shkojnë në llogari të La Ligës, që drejtohet nga Javier Tebas.

Puna për përgatitjen e arbitrave për sistemin VAR do të nisë menjëherë dhe do të jetë intensive, në mënyrë që gjithçka të jetë gati në muajin gusht, kur do të nisë edhe sezoni i ri në kampionatin spanjoll.

Gjatë kësaj faze përgatitore do të ketë simulime të sistemit VAR në ndeshje të ndryshme. Me këtë vendim për përdorimin e sistemit VAR, kampionati spanjoll i bashkohet atij gjerman, italianit e francezit, ndërkohë që në Angli ky sistem aplikohet në “FA Cup”.

Ditën e shtunë, Bordi Ndërkombëtar i FIFA-s pritet të zyrtarizojë aplikimin e këtij sistemi në Botërorin e Rusisë, që do të luhet në Rusi në periudhën 14 qershor-15 korrik