Zyrtare: Kosova pranohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar

Lajmet qendrore në RTK kanë konfimuar lajmin e pranimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON).

Sport

22/10/2014 20:58

Ministri i kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi në një lidhje të drejtpërdrejt në lajmet qendrore të RTK-së, ka konfirmuar se Kosova është pranuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Tashmë Kosova do të mund të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të ardhshme, si shtet në vete.

Padyshim, që ky është lajmi më i madh që ka pranuar ndonjëherë Kosova sa i përket Sportit, që nga koha e pasluftës.

Menjëherë pas këtij lajmi KON-i ka konfirmuar gjithashtu se Kosova është anëtare me të drejta të koushtëzuara, pasi pranimi i plotë pritet të bëhet në dhjetor në sesionin e KON-it në Monaco.

Ministri Krasniqi, përmes Facebook-ut, ka njoftuar se Komiteti Olimpik i Kosovës është pranuar anëtar i përkohshëm në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Ja edhe postimi i plotë i tij:

“Me kënaqësinë më të madhe dhe me gëzim e emocione të papërshkrueshme, kam nderin të ju njoftoj se me Kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Besim Hasani, sapo morëm lajmin që Komiteti Olimpik i Kosovës është pranuar si anëtar i përkohshëm në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Urime sportistëve tanë. Urime mbarë Kosovës”.