ZYRTARE: Kosova fton një super futbollist (FOTO)

Përfaqësuesja e Kosovës është përforcuar edhe me një futbollist tejet cilësorë.

Sport

04/11/2016 14:51

Fjala është për mbrojtësin preshevar, Fidan Aliti i cili me plot sukses po luan në kampionatin kroat tek Slaven Belupo.

Aliti më parë është aktivizuar në kampionatin zviceran me skuadrën e madhe Luzern, ndërsa ai ka luajtur edhe për Sheriff Tiraspol.

Në një prononcim ekskluziv për Telegrafin, ish-anëtari i Kombëtares së Shqipërisë tregon për ftesën e Kosovës.

“Edhe zyrtarisht kam marrë ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës që t’i bashkohem dhe për këtë jam shumë i lumtur”, shprehet fillimisht Aliti.

“Ky vendim i marrë nga unë nuk është kundër Shqipërisë që kam luajtur atë, por është për ta ndihmuar Kosovën. Kemi biseduar edhe me FSHF dhe jemi akorduar që unë të jem pjesë e Kosovës”, deklaroi mbrojtësi i talentuar i cili ka zhvilluar dy ndeshje për Kombëtaren shqiptare.

Kësisoj Aliti është në pritje për t’iu bërë pasaporta e Kosovës, pasi ai posedon vetëm të Shqipërisë dhe të Zvicrës.

“Jam në pritje të pasaportës së Kosovës, shpresojë që të më bëhet sa më shpejtë dhe të mund ta jap kontributin tim për Përfaqësuesen kosovare”.

23-vjeçari luan në katër pozitat e mbrojtjes, derisa këtë edicion ka zhvilluar tetë ndeshje me skuadrën Slaven Belupo.

Aliti do të jetë futbollisti i parë shqiptar nga Lugina e Preshevës që do ta bartë fanellën e Kosovës.

“Është një krenari për mua që të jem futbollisti i parë nga Lugina e Preshevës që do e bartë fanellën e Kosovës. Do të mundohem ta jap maksimumin që ta prezantoj edhe Luginën në Përfaqësuesen e Kosovës. Lugina është Kosovë dhe shpresoj që pas meje të ketë edhe futbollist tjerë nga kjo pjesë e Kosovës që do t’i bashkohen Përfaqësueses më të re në Evropë”, tha Aliti.

Në fund Aliti ka deklaruar se Kosova ka një skuadër të mirë dhe se synon që të marrë rezultate pozitive me fanellën verdh e kaltër.

Ai ka falënderuar të gjithë ata që e kanë përkrahur deri në këto momente në karrierën e tij duke theksuar se do t’i bëjë krenar edhe më shumë.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy S6.