Zyra e Prokurorit të Specializuar për lajmi.net konfirmon nisjen e intervistimit të dëshmitarëve

Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë pritet që në një të ardhme jo të largët të nis punën e saj.

Lajme

07/12/2018 18:34

Dhomat e Specializuara të Prokurorisë veç se kanë filluar intervistimin e dëshmitarëve në lidhje me krimet e pretenduara, shkruan lajmi.net.

Arianit Koci, avokat i ish-komandantit të UÇK-së, Rrustem Mustafa, përmes një postimi në Facebook dje ka bërë të ditur se klienti i tij ka marrë një ftesë që të paraqitet para Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë.

E në një përgjigje për lajmi.net nga kjo zyrë, është thënë se nuk mund të jipen detaje specifike për personat apo dëshmitarët të cilët janë duke u hetuar, për shkak të ndalesave ligjore dhe etike.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk mund të ofrojë informacione specifike për dëshmitarët apo pjesët tjera të hetimit. Kjo në bazë të standardeve  dhe praktikave prokuroriale, si dhe kufizmeve etike dhe ligjore”, është thënë nga kjo zyrë.

Sipas zyrës për media të kësaj prokurorie, kjo bëhet për ruajtjen e konfidencialitetit dhe sigurisë së dëshmitarëve dhe personave të cilët kanë bashkëpunuar me hetuesinë.

Gjithsesi nga kjo zyrë është thënë për lajmi.net se pjesë e hetimeve të tyre janë edhe intervistimi i dëshmitarëve, dhe se procesi në fjalë është duke vazhduar në mënyrë efektive.

“Gjithsesi, ajo se çka mund të themi është se intervistimi i dëshmitarëve është pjesë e hetimeve. Ky proces po vazhdon në mënyrë efektive”, është thënë për lajmi.net në një përgjigje nga zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ndërkaq, avokatët mbrojtës të akredituar nuk janë në dijeni për këto procese.

Lexo edhe:

Avokatët e Speciales në terr informativ lidhur me intervistimet në Hagë

Gjykata Speciale për Kosovën u krijua në vitin 2015, me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Misioni i saj është që t’i hetojë pretendimet e raportit të Dick Martyt, për krime të cilat thuhet se janë kryer mes viteve 1998-2000. /Lajmi.net/