Zyberaj: Nuk ka rëndësi çfarë thotë Daçiq, kapacitetet e Pacollit tejkalojnë gjithë aparatin shtetëror serb

Jetlir Zyberaj – këshilltari i Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se deklaratat e sotme të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, se Omani, Uganda dhe Esotho kanë deklaruar se nuk kanë njohur kurrë pavarësinë e Kosovës, janë të parëndësishme.

Lajme

27/09/2018 12:58

“Nuk ka rëndësi se çka thotë Daçiq, Vuçiq apo cilido akter nga Serbia. Nuk ka pasur rëndësi as atëherë kur me fjalë e me vepra janë munduar që të shfarosin popullin tonë dhe as atëherë kur e kemi shpallur pavarësinë. Ne i kemi punët tona, obligimet tona dhe angazhimet tona të cilat fare nuk ndërlidhen me deklarata të nervozuara të politikanëve të Beogradit”, ka thënë Zyberaj për klankosova.tv.

“Republika e Kosovës, konkretisht ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka ndërtuar një sistem të tillë që nënkupton bashkërendimin e aktiviteteve dhe kontakteve me secilin shtet që e ka njohur shtetin tonë dhe njëkohësisht duke kultivuar raportet me shtetet që ende nuk e kanë ndërmarrë hapin e njohjes”.

Zyberaj për pohimin e Daçiq se ka lënë takime me përfaqësuesit e 84 shteteve sa po qëndron në New York , për të lobuar kundër pavarësisë së Kosovës, ka thënë se janë vetëm kinse ofensivë.

“Kapacitetet e Pacollit tejkalojnë gjithë aparatin shtetëror politik dhe diplomatik të Republikës së Serbisë, prandaj mund ta vëreni edhe tendencën e Beogradit për të ndërmarrë gjoja ofensiva kundër Kosovës”.

“Asnjë përpjekje e tyre nuk mund të sfidojë suksesin e institucioneve të shtetit tonë dhe për këtë duhet të jenë të gjithë të qartë. Vetëm në Nju Jork janë zhvilluar deri më tani më shumë se 50 takime nga zëvendëskryeministri Pacolli dhe deri në fund javë priten rezultate edhe më të mëdha të cilat do të preken gjatë muajit nëntor kur Kosova do të marrë aprovimin për të qenë anëtar i INTERPOLIT, organizatë kjo e një rëndësie jetike në sigurinë e brendshme dhe ndërkombëtare”.