Zvicra po bëhet e emigrantëve, 35 për qind janë të huaj

Numri i personave të moshës madhore me prejardhje të huaj është rritur më shumë se ai i moshatarëve të tyre pa prejardhje të huaj.

Bota

20/10/2015 16:14

Kështu, përderisa numri i të rriturve që e kanë njërin ose të dy prindërit të lindur jashtë Zvicrës është rritur për 3 për qind, ai i zviceranëve autoktonë, vetëm 0.4%. fjala është për rritjen e regjistruar brenda një viti, në mes të vitit 2013 dhe 2014. Ndërsa të rritur sipas kategorizimit konsiderohen personat mbi 15 vjeçarë.

Më shumë se një e treta e personave madhorë në Zvicër ka prejardhje të huaj, konstaton Zyra Federale e Statistikave (BFS). Po ashtu më shumë se një e treta e popullatës me prejardhje të huaj në Zvicër ka fituar tashmë shtetësinë  gjegjësisht pasaportën zvicerane. Pas tyre vijnë të huajt që ende kanë pasaportën italiane dhe më tej ata me pasaportë gjermane.

28 për qind e popullatës së Zvicrës janë të lindur në ndonjë vend të huaj, pra janë të huaj të gjeneratës së parë (edhe kur i kanë pasaportat zvicerane). Ndërsa 7 për qind e popullsisë i takojnë gjeneratës së dytë. Gjatë vitit 2014 më së shumti është rritur numri i të huajve të gjeneratës së parë (3.6%).

Është interesante se në dy kantone tashmë shumicën e përbëjnë njerëzit me prejardhje të huaj. Është fjala për Gjenevën ku ata përbëjnë 61 për qind dhe Bazelin (Baselstadt) ku njerëzit me prejardhje të huaj përbëjnë 51 % të popullatës. Kjo mesatare në gjithë Zvicrën është 35 për qind.