Zvicra jep afro 6 milionë franga për NVM-të në Kosovë

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe drejtori Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, Markus Baechler, nënshkruan marrëveshjen e projektit që parasheh rritjen e punësimit fitimprurës dhe të qëndrueshëm për gratë dhe burrat në Kosovë përmes ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM). 

Lajme

04/02/2015 17:23

Kjo marrëveshje parasheh rritje të punësimit fitimprurës në sektorë ekonomikë konkurrues dhe të mirorganizuar, ku politikat publike përputhen më mirë me nevojat e sektorit privat.

Ministrja Bajrami pasqyroi edhe prioritetet dhe objektivat strategjike të ministrisë që e drejton, si dhe mbështetjen e zhvillimit të sektorit privat, duke përmirësuar klimën e biznesit. Ajo prezantoi edhe avancimin e politikave tregtare, si dhe përmirësimin e lëvizjes së lirë të mallrave, që do të jenë pjesë e strategjisë zhvillimore të ekonomisë vendore.

Sipas Bajramit, përmirësime të theksuara do të ketë edhe në qasjen e inkurajimit të investitorëve të huaj për të parë Kosovën si vend atraktiv për investime.

Markus Baechler theksoi se kjo marrëveshje do të ketë reflektime pozitive në fusha të ndryshme në sektorin privat, si dhe do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve afariste për zhvillim të qëndrueshëm të afarizmit kosovar.

Vlera e këtij projekti do të jetë 5.798 milionë franga zvicerane, ndërsa zbatimin e tij do ta bëjë konsorciumi në përbërjen “Swisscontact”, “Instituti Riinvest” dhe “PEM Consult”, që është përzgjedhur nga Zyra zvicerane për bashkëpunim në Kosovë. Marrëveshja për realizimin e këtij projekti është për periudhën trevjeçare, duke filluar nga 16 nëntori 2014 e deri më 15 nëntor 2017.

Përmes këtij projekti, MTI-ja do të kontribuojë në krijimin e ambientit të favorshëm për zhvillimin e mundësive të punësimit në Kosovë, si dhe do të ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar lejet e nevojshme dhe miratimet, në mënyrë që të mundësohet zbatimi i këtij projekti në mënyrë efikase dhe në kohë, thuhet nw komunikatën e kësaj ministrie.