Zvicra eksporton automjete në vlerë prej 2.5 milionë eurosh në Shqipëri

Nëse vendi i tretë zihej më parë tradicionalisht nga Mbretëria e Bashkuar, ky vend kësaj radhe i takon Zvicrës, nga ku u importuan 2.5 milionë euro në vlerë automjete.

Lajme

19/05/2018 09:58

Muajt e parë të këtij viti është regjistruar një rritje e fortë e importit të automjeteve në Shqipëri. Për periudhën janar-mars 2018, vlera totale e importuar e automjeteve për transportin e pasagjerëve arriti në 54.5 milionë euro, një rritje me 9.2% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar dhe shumë më e lartë se tremujori i parë i 2016-ës.

Kjo rritje vjen në një moment kur pritet të hyjë në fuqi vendimi për ndalimin e importit të automjeteve të vjetra që nuk plotësojnë kriteret e ndotjes. Ndërkohë rritja e importeve është forcuar edhe nga masat që vende si Gjermania po marrin kundër automjeteve të naftës, duke i shtyrë pronarët t’i shesin ato në vendet e Europës Lindore.

Pikërisht Gjermania kryeson edhe listën e vendeve të origjinës të automjeteve që kanë hyrë në Shqipëri dhe qarkullimi arrin në 25.4 milionë euro. Gjermania është ndjeshëm partneri kryesor, pasi nga vendi i dytë që ndjek në listë, Italia, u importuan vetëm 9.6 milionë euro automjete.

Sipas scan-tv ndërkohë, nëse vendi i tretë zihej më parë tradicionalisht nga Mbretëria e Bashkuar, ky vend kësaj radhe i takon Zvicrës, nga ku u importuan 2.5 milionë euro në vlerë automjete. Britania lufton me Shtetet e Bashkuara për vendin e katërt dhe importet llogariten përkatësisht në 2.2 dhe 2.1 milionë euro.

Shtetet e Bashkuara vijnë si surprizë në këtë listë, pasi vlera e importeve është dyfishuar nga viti në vit. Për të njëjtën periudhë një vit më parë, Shqipëria importonte nga përtej Atlantikut vetëm 1 milion euro automjete.

Vendet që mbyllin dhjetëshen e parë të origjinës së makinave janë: Republika Çeke, Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja dhe Franca.

Pjesa dërrmuese e automjeteve të importuara janë të përdorura, pasi Shqipëria importon shumë pak automjete të reja. Të dhënat e Organizatës së Prodhuesve të Mjeteve Motorike tregojnë që në 2017-ën në Shqipëri u shitën vetëm 2.8 milionë euro në vlerë automjete të reja.