Zvicër/Gjendet në pyll kufoma e karbonizuar e një shtetasi të Serbisë

Policia konfirmon se i vdekuri është një shtetas 41 vjeçar të Serbisë që jetonte në Zvicrën Lindore. Ndërsa shkaqet e vdekjes së tij mbeten mister.

Bota

21/07/2017 12:30

Një grua që po shëtiste në një pyll në Pulverhaus (komuna Erlen, Kantoni Thurgau) ka gjetur një kufomë të karbonizuar mashkulli. Policia ndërkohë konfirmon se i vdekuri është një shtetas 41 vjeçar të Serbisë që jetonte në Zvicrën Lindore, njofton sda.ch. Ndërsa shkaqet e vdekjes së tij mbeten mister.

Kufoma është gjetur të dielën që shkoi, pak pas orës 16, ka bërë të ditur të premten policia e Kantonit Thurgau, transmeton albinfo.ch. Gruaja që e ka parë kufomën, ka alarmuar policinë, e cila në vendin e përmendur ka gjetur një kufomë të karbonizuar mashkulli.

Pas identifikimit, me urdhëresë të prokurorisë në Bischofzell kufoma do të kontrollohet nga Instituti për Mjekësi ligjore.

Ndërkohë, policia po zhvillon hetime në të gjitha drejtimet dhe po kërkon dëshmitarë, të cilët gjatë ditëve të fundit kanë vënë re ndonjë gjë në pjesën e përmendur të pyllit, përcjell albinfo.ch. Informatat që janë më me interes për policinë janë ato që kanë bëjnë me ndonjë zjarr, makina dhe persona, thuhet në një komunikatë të policisë.