Zuckerberg për skandalin në Facebook: Janë keqpërdorë edhe të dhënat e mia

Drejtori Ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg ka bërë të ditur se të dhënat e tij ishin në mesin e atyre që janë keqpërdorë në skandalin e privatësisë.

Bota

11/04/2018 19:29

Ai ka folur për një gjë të tillë gjatë dëshmisë së tij në Washington pranë Komitetit të Senatit Amerikan.

Ndërsa, në një zhvillim tjetër kompania e konsulencës që është në qendër të skandalit, ka bërë të ditur se shefi i saj ekzekutiv ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Zuckerberg gjithashtu ka njoftuar se gjiganti teknologjik ishte duke shikuar mundësitë për të ndërmarrë veprime kundrejt Universitetit të Kembrixhit.

Sipas tij në këtë institucion është zhvilluar studimi i cili ka mbledhë të dhënat personale të përdoruesve të Facebook dhe i ka shitur ato tek kompania Cambridge Analytica.

“Ajo çka kemi gjetur është se ekziston një program që lidhet me Universitetin e Kembrixhit, ku janë duke u zhvilluar një numër i aplikacioneve të ngjashme studimore”.

“Ne duhet të shohim në qoftë se ka diçka të keqe që po ndodh në Universitetin e Kembrixhit në përgjithësi, që kërkon një reagim më të ashpër prej nesh”.

Në anën tjetër një zyrtarë nga ky universitet ka thënë se institucioni është duke përgatitur një përgjigje lidhur me këtë.

Themeluesi i Facebook gjatë dëshmisë së tij ditën e djeshme kishte kërkuar falje për ngjarjet që kanë prekur këtë kompani së fundmi, duke thënë se mbrojtja e të dhënave të përdoruesve është përgjegjësi e tij.