ZRRE: Peticioni kundër shtrenjtimit të energjisë është i pabazë

Zyra e Rregullatorit të Energjisë i ka quajtur të pabaza akuzat që së fundmi disa organizata i kanë paraqitur dhe janë bashkuar për organizimin e nënshkrimit të peticionit kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Lajme

01/10/2014 19:26

Përmes një komunikate për media ZRRE ka thënë se peticioni i organizuar është ngritur mbi pretendime të pabazuara për shkeljet e ligjit nga ana e bordit të saj.

“Peticioni është organizuar me pretendime të pabazuara për shkelje të ligjit nga ana e Bordit të ZRRE-së. Vendimet e Bordit të ZRRE‐së janë marrë në mënyrë shumë transparente dhe të gjitha kërkesat për sqarime janë shpjeguar në hollësi. Neni 1.4.1 i Ligjit të Rregullatorit të Energjisë është jo relevant për përcaktimin e kostove të furnizimit me energji elektrike. Neni i cekur është i lidhur me strukturën tarifore të konsumatorëve fundor, dhe ky nen përcakton se gjatë zbatimit të përgjegjësive të saj, ZRRE po ashtu merr parasysh nevojën për zbatimin e masave të duhura për përforcimin e kohezionit social dhe ekonomik në Kosovë. Masat të cilat ligji i parasheh të bëhen nga ZRRE janë të vendosura përmes tarifës me blloqe, në mënyrë që të sigurojmë se të paktën shtresa më e rrezikuar nga varfëria ta ketë të përballueshme një sasi të vogël të energjisë”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

ZRRE është e bindur se nuk ka bërë shkelje as gjatë shqyrtimit të parë, apo më saktësisht kur është marrë vendimi për shtrenjtim prej 4.57%.

“Pavarësisht pretendimeve se ZRRE ka shtyrë aprovimin për shkak të zgjedhjeve në këtë kohë, e vërteta është se Bordi i ZRRE‐së ka zgjatur procesin e aprovimit të të hyrave të lejuara për kërkesat e vitit 2013, gjë që i lejohet sipas Rregullave në fuqi, për arsye se kërkesat kanë qenë shumë më të mëdha se sa parashikimet që i kemi vendosur qysh në vitin 2012, kur edhe është marrë Vendimi për tarifa 5 vjeçare. Kërkesat e para të licencuarve për rritje të të Hyrave të lejuara kanë qenë mbi 20%, dhe skenari i ngritjes së tarifave për një ndryshim prej 20% ka qenë i papranueshëm për ZRRE”, thuhet në këtë reagim.

Më tej, ZRRE shprehet e bindur se organizatorët e peticionit kanë keqinterpretuar legjislacionin në fuqi për ndryshimin e vendimeve të Rregullatorit. Sipas legjislacionit në fuqi, institucioni i vetëm shtetëror që mund të ndryshojë apo kufizojë vendimet e Bordit të ZRRE‐së është gjykata kompetente, e cila po ashtu është e pavarur nga degët e tjera të shtetit, në këtë rast nga dega legjislative e shtetit.

“Secili person që konstaton se anëtarët e Bordit të ZRRE‐së kanë bërë shkelje të dispozitave ligjore mund të kërkojnë shkarkimin e anëtarëve të Bordit përmes gjykatave kompetente. Nëse organizatat e ndryshme do të kishin organizuar një peticion i cili përmban vetëm dy pika: për heqjen e tantiemës dhe TVSH‐së nga sistemi energjetik, shumë anëtarë të ZRRE‐së do ta kishin nënshkruar këtë peticion me dëshirë”, thuhet në komunikatën për media.