ZRRE: Çmimi i rrymës do të rritet

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE), ka njoftuar se vendimi për shtrenjtim të energjisë elektrike prej 5.18 për qind nuk do të ndryshojë. Bordi ZRRE-së e quan të domosdoshme rritjen e çmimit të energjisë për 5.18 për qind.

Lajme

11/09/2014 13:23

Sipas një komunikate të lëshuar nga ZRRE,thuhet se të gjitha ankesat e qytetarëve dhe të shoqërisë civile janë shqyrtuar me seriozitet.

“Bordi i ZRRE-së ka analizuar çdo detaj të këtij shqyrtimi duke përfshirë edhe të gjitha pakënaqësitë e shprehura të konsumatorëve dhe ka arritur në përfundim se vendimi për ngritje të tarifave elektrike prej 5.18% është i domosdoshëm për një furnizim të mirëfilltë”.

“Bordi i ZRRE-së, ju bënë thirrje të gjithë palëve të interesit dhe organizatave nënshkruese të kësaj kërkese, të ushtroni të drejtën tuaj dhe të veproni duke ndjekur rrugët ligjore/institucionale të Republikës së Kosovës të parapara me legjislacionin në fuqi nëse konsideroni se është bërë ndonjë shkelje ligjore e kompetencave të ZRRE-së gjatë marrjes së këtij Vendimi”.

“Përkundër komenteve të paraqitura, legjislacioni në fuqi dhe rregullat e tregut energjetik e kanë pamundësuar Bordin e ZRRE-së të merr vendime ndryshe nga ato të cilat janë marrë. Bordi i ZRRE-së bashkëndien me të gjithë qytetarët sa i përket ngritjes së tarifave të energjisë, si edhe ngjarjeve të tjera që i kanë paraprirë këtij vendimi, por duhet të kuptohet se mandati i Bordit të ZRRE-së si dhe obligimet janë të përcaktuara në bazë të ligjit për Rregullatorin e Energjisë dhe Ligjeve tjera në fuqi”.

“Në rastin e këtij shqyrtimi të jashtëzakonshëm, Bordi i ZRRE-së sipas rregullave përkatëse të sektorit energjetik ka miratuar vetëm kosto minimale të arsyeshme që t’ju sigurojë konsumatorëve furnizim të mirëfilltë me energji elektrike me gjithë vështirësitë e sektorit energjetik në Kosovë”, thuhet në komunikatë.