‘Zoti ju marroftë nëse s’e votoni LDK’në’

Isa Mustafa deklaroi sot se nuk i vjen aspak marre të kërkojë votën nga Gollaku, pasi që, sipas tij, nuk ka lënë rrugë pa shtruar në fshatrat e këtij rajoni.

Lajme

27/10/2013 13:08

Isa Mustafa është shfaqur me një fjalor parazgjedhor krejt tjetër në një tubim elektoral që Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur në Llukar, që bën pjesë në rajonin e Gollakut, prej nga është edhe vendlindja e tij.

Ai ka thënë se për këtë rajon si Kryetar i Prishtinës ka bërë shumë, për çka pret edhe votën e banorëve të kësaj ane për LDK’në.

“Zoti ju marroftë nëse s’e votoni LDK”.

Këto ishin fjalët e tij, në tubimin e sotëm me aktivistë të Degës së V’të të këtij subjekti, të mbajtur në Llukar, sipas Kosovapressit.

“Nuk më vjen aspak marre të kërkojë votën nga kjo anë meqë nuk ka lënë rrugë pa shtruar në fshatrat e Gollakut”.

“LDK’ja meriton fitore në këtë pjesë meqë gjatë mandatit katërvjeçar, ka shtruar rrugë, ka ndërtuar shkolla të reja, teren sportive, investime këto që ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e banorëve të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre”.

Mustafa u tha banorëve të këtij fshatit se LDK’ja e meriton edhe një mandat në kryeqytet sepse për katër vite janë asfaltuar 300 km rrugë dhe rrugica, janë ndërtuar 75 mijë m2 objekte shkollore, janë ndërtuar 250 mijë m2 trotuare dhe janë ndërtuar 180 kilometra kanalizime.

“LDK e meriton votën e fshatrave të Gollakut sepse kemi punuar në këtë pjesë, më shumë se në qytet, pavarësisht se kjo anë nuk ka shumë votues”.

“Qëllimi ynë ka qenë që fshatrave të Gollakut dhe fshatrave nga ana e Podujevës t’ua sigurojmë të gjitha kushtet në mënyrë që ata të mos shpërngulen dhe t’i dalin zot kësaj pasurie të madhe që ju e keni”.

“Me infrastrukturën që ne kemi krijuar kemi mundësuar që të shfrytëzohen këto resurse të mëdha që ka kjo anë”.

Ai ka thënë se falë investimeve të komunës, banorët e Gollakut kanë mundësi që të merren me bujqësi, blegtori, bletari, pemëtari dhe degë të tjera me rëndësi.

Mustafa tha se LDK krenohet se ne kemi shpërndarë investimet në të gjitha fshatrat dhe lagjet e qytetit dhe kurrë nuk i kemi kushtëzuar investimet tona me përcaktim partiak, siç po bëjnë disa, të cilët po premtojnë para në shkëmbim të votës.

“Ne nuk i tenderojmë votat, sikur po bëjnë disa”.

“Ne nuk premtojmë para në shkëmbim të votave. Ne premtojmë investime dhe menaxhim të drejtë të projekteve, jo se ju na votoni, por se ju i meritoni këto investime, sepse paratë janë të popullit dhe nuk janë të individit”.

“Asnjë projekt ne nuk e kemi shikuar nëse ajo zonë e ka votuar ose jo partinë tonë. Asnjë njeri nuk është larguar nga puna për shkak të përkatësisë së tij partiake”