Zogu që e çmendi botën

Flappy Bird. Kështu quhet loja e cila së fundmi është bërë shumë e famshme dhe po thyen rekorde të shumta në Appstore e Google Play.

Auto & Tek

06/02/2014 12:07

Kësaj here nuk është zogu i Tunës. Një zog tjetër është bërë mjaft i famshëm, në gjithë botën. Bëhet fjalë për lojën “Flappy Bird”.

Javën e fundit kjo lojë është bërë aplikacioni falas më i shkarkuar në iPhone dhe Android. Rritja kaq e shpejtë e lojës mbetet një mister i vërtetë. Varësia që krijon loja dhe niveli absurd i vështirësisë ka zgjuar shumë reagime interesante në gjithë internetin.

Koncepti i lojës është i thjeshtë. E drejton një zog, i cili ka një sy të madh, buzë si Nicki Minaj dhe aftësi katastrofale në lëvizje e manovrim.

Loja ka vetëm një mision. Fluturo me zogun përmes 2 tubave dhe shko sa më larg që është e mundur. E megjithatë, nëse e prek njërin nga tubat apo tokën, e humbet lojën.

Në shikim të parë loja duket aq e lehtë, aq e manovrueshme, sa që frustrohesh jashtë mase se si nuk mund ta drejtosh një zog të tillë.  Qartazi do të luash deri sa ta fitosh pikën e parë. Pasi ta arrish fitoren e vështirë, do luash edhe më shumë duke e rritur vetbesimin.

“Flappy Bird tashmë kontrollon mendjen time.”

“Shefi më ka pushuar nga puna. Fëmijët nuk më flasin, e burrit ia kam bllokuar numrin pasi me mesazhet e tij ma bllokon lojën. Ka disa ditë që jam në një hotel dhe po e luaj këtë lojë.”

Janë vetëm disa nga komentet që përdoruesëve të iOS për këtë lojë super të vështirë.

Loja momentalisht ka pothuajse 600,000 vlerësime në App Store dhe mbi 300,000 të tilla në Google Play.