Zogaj: Komuna e Prishtinës me drejtorë kauboj

Drejtori i Lëvizjes FOL, Petrit Zogaj, duke komentuar rreth asaj se drejtorët e drejtorive të Komunës së Prishtinës, Xhelal Sfeçla dhe Liburn Aliu, dalin në punë të armatosur, ka thënë se qytetarët e Prishtinës, nuk kanë votuar për drejtorë kauboj.  

Lajme

13/01/2015 14:23

Zogaj në komentin e tij, ndër të tjera ka thënë, se është e paimagjinueshme të mendohet se një ditë këta drejtorë kauboj do të përballeshin vetë me revole për t’u vetëmbrojtur nga “armiqtë” e tyre. 

Ai ngrit pyetjen nëse këta dy drejtorë janë duke bërë njëkohësisht edhe truprojat e Shpend Ahmetit. Nëse është kështu, Zogaj thotë se atëherë do të arsyetohej veprimi i tyre. 

Komenti i plotë i Zogajt: 

Nuk besoj që qytetarët e Prishtinës të kenë votuar me 1 dhjetor 2013 për një udhëheqje komunale, të cilët për të kryer funksionet e tyre duhet të vetmbrohen, pra të mbajnë revole gjatë ushtrimit të detyrës së drejtorit. Sikurse nuk besoj që qytetarët e Prishtinës të binden se me këtë vetëmbrojtje, qeverisja e këtyre drejtorëve kauboj në Prishtinë është në nivel më të mirë se sa mund të ishte nëse keta kauboj të ishin të pa armatosur.

Të imagjinojmë një situatë që këta drejtorë kauboj të përballen me bandat kriminale dhe të përleshen në rrugë, para publikut? Mendoni se në këtë rast drejtorët do të dilnin fitues a? Unë nuk do të besoja këtë skenar. Jo për shkak të paaftësive të këtyre drejtorëve për t’i përdorur ato revole, por për shkak të aftësive më të avancuara që bandat kanë përgjthësisht. Dhe të paktën, nuk do të doja që këta drejtorë kauboj të kenë aftësi tjera, përpos këtyre të mbajtes së revoleve. Ndryshe, do të ishte ogur i keq për qeverisjen.

Imagjinojeni së çfarë mund të ndjejnë qytetarët e Prishtinës kur të shohin lajmin se drejtorët në këtë komunë kanë zgjedhur vetëmbrojtjen në vend të mbrojtjes nga sistemi për të ushtruar funksionin.

Diçka që nuk u tha kur pamë këtë lajm: a nuk ishte Shpend Ahmeti i kërcënuar për punën që po bënë në Prishtinë? Për shkak të kërcnimeve që ka marrë, a nuk do të duhej që edhe ai të mban revole? Apo ndoshta vetëm ka një të tillë dhe Kryetari? Apo ndoshta, këta dy drejtorë kauboj janë duke kryer njëkohesisht edhe funksionet e truprojave te Shpendit. Nëse kjo është, atëherë mund të jetë e falshme dhe kjo.

Unë do të besoja që qytetarët e Prishtinës kanë votuar që kjo udhëheqje dhe këta drejtorë kauboj të dallojnë nga udhëheqja e një pjese të kaubojëve në nivel qendror: sikurse ishin dhe janë lladrovcët, latifët e të tjerë sikur këta, të cilët sipas kolegeve të tyre deputetë kanë mbajtur e mbajnë revole në Kuvendin e Kosovës.

Në 2015 duam drejtorë e udheheqës që qeverisin, e jo që shperndajnë frikë dhe që shperndajnë pasiguri për vetën e tyre e për qytetaret.