Zjarri bën shkrumb fabrikën afër Tiranës

Pas disa orësh beteje me flakët, forcat zjarrfikëse të ndihmuara edhe nga ushtria, vunë nën kontroll zjarrin e fuqishëm që përfshiu fabrikën e riciklimit të mbetjeve në Kashar të Shqipërisë.

Lajme

22/04/2018 18:53

Më shumë se dhjetë makina zjarrfikëse nga Tirana, Vora dhe Durrësi, u angazhuan në operacionin e vështirë për shuarjen e flakëve.

Zjarri ishte i përmasave te mëdha dhe shumë i fuqishëm për shkak se magazinat kishin materiale plastike.

Në fabrikë u dëgjuan herë pas here edhe shpërthime të vogla.

Drejtori i shërbimit zjarrfikës Shkelqim Goxhaj tha se vetëm pas hetimit do të mësohet se në ç’nivel ishin masat e marra në këtë fabrikë.

Përfaqësues të kompanisë u shprehën jashtë kamerës se zjarrfikësit mbërritën me vonesë.

Por krerë të këtij shërbimi thanë se në fabrikë nuk funksionoi sistemi i alarmit.

Pas marrjes së informacionit menjëherë në vendngjarje u nisën makinat e para zjarrfikëse, përcjell rtv21.tv.

Punonjësit e fabrikës nuk e fshehën tronditjen.

Vendet e tyre të punës u janë shkrumbuar me shpejtësi para syve dhe nuk dinë se çdo të bëjnë në ditët në vijim.

Nga zjarri i rënë nuk pati të lënduar në njerëz pasi e diela ishte ditë pushimi.

Edhe një vit më parë, kompania “Everest” është përfshirë nga zjarri po jo në këto përmasa.

Madje ajo është gjobitur për mungesë të masave kundra zjarrit./rtv21