Zjarret në Kaliforni, rritet numri i viktimave

Dy fëmijë dhe stërgjyshja e tyre janë mes pesë viktimave që humbën jetën si pasojë e zjarreve në Kaliforninë Veriore. Dy zjarrfikës ndërkohë humbën jetën të enjten, 17 persona janë të zhdukur dhe dhjetëra e mijëra të tjerë kanë braktisur shtëpitë e tyre.

Bota

29/07/2018 18:19

Flakët në kontenë Shasta, merren nga erërat e forta dhe po shndërrohen në tornado zjarri, duke shkulur dhe zhuritur pemë e duke përmbysur edhe makina. Zjarrfikësit po përballen me zjarret që janë vënë nën kontroll vetëm në masën 5 për qind. Flakët kanë shkatërruar të paktën 500 struktura dhe po kërcënojnë me mijëra shtëpi.

Zjarret nisën të hënën pas një defekti në një makinë, që ndezi një zjarr që u përhap në 194 km katror tokë, një zonë kjo më e madhe se sa i gjithë qyteti i San Franciskos.

Më shumë se 3400 zjarrfikës janë dislokuar por departamenti lokal ka paralajmëruar se moti i nxehtë dhe i thatë parashikohet edhe përgjatë javës dhe mund ta përkeqësojë akoma më shumë situatën. Rreth 37 mijë banorë ndërkohë janë detyruar të braktisin zonën.

Zjarri në Kaliforninë Veriore është një nga thuajse 90 vatrat aktive në SHBA. Në Ferguson, zjarri i ka marrë jetën një zjarrfikësi dhe ka bërë që të mbyllet pjesa më e madhe e parkut kombëtar Josemite, ndërsa në kontenë Riverside, në jug, zjarri ka zhuritur 46 km katror tokë.

Zjarret janë të zakonshëm në Kaliforni gjatë verave të thata dhe të nxehta. Sidoqoftë, ekspertët thonë se ky ka qenë fillimi më i keq i sezonit të zjarreve në 10 vitet e fundit, pjesërisht edhe faktit se thatësira e viteve 2012-2017 ka bërë që pjesa më e madhe e bimësisë të zhduket.