Zhvillimet në Gjermani, model për perspektivën evropiane të Kosovës

Kosova duhet të ndjek shembullin e zhvillimit të Gjermanisë pas bashkimit të saj, në rrugën drejt integrimeve evropiane, ka thënë kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj, në urimin për popullin gjerman me rasti e 3 Tetorit - Ditës së Ribashkimit të Gjermanisë.

Lajme

03/10/2014 12:46

Ministri Hoxhaj, përmes një letre e ka uruar homologun e tij gjerman, Frank-Walter Steinmeier me rastin e 3 Tetorit, duke thënë se zhvillimet në Gjermani që nga bashkimi i saj janë model për Kosovën.

Hoxhaj në letrën e tij ka falënderuar shtetin gjerman për mbështetjen e dhënë Kosovës.

“Në emër të Qeverisë, qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal ju përcjell Ju dhe popullit gjerman urimet e mia më të përzemërta për 3 Tetorin – Ditën e

Ribashkimit të Gjermanisë”.

“Zhvillimet pozitive në vendin tuaj që nga bashkimi, janë një model politik që shërben si forcë shtytëse për perspektivën evropiane të Kosovës dhe të vendeve të tjera të Ballkanit”, ka thënë ministri Hoxhaj, duke shtuar se “angazhimi dhe solidariteti gjerman sot dhe në të kaluarën, kanë shërbyer si bartës vendimtar të stabilitetit në rajon”.

“Në këtë kuptim, pranoni falënderimet e mia më të sinqerta për mbështetjen e vazhdueshme Tuaj personale, posaçërisht për njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe dialogun me Serbinë, ndaj të cilit ne mbesim të përkushtuar për të normalizuar marrëdhëniet tona si dy shtete të pavarura”, përfundon letrën Hoxhaj.