ZHVILLIME TË REJA: Deputetët e LDK-së dhe Mustafa takohen me ambasadorin Delawie

Zhvillimet e fundit kanë bërë që LDK-ja të angazhohet maksimalisht që demarkacioni të kalojë dhe kosovarët të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen brenda 90 ditësh.

Lajme

08/05/2017 13:16

Lidhur me këto zhvillime, LDK-ja ka ftuar në një takim të përbashkët me ambasadorin amerikan në Kosovë, Greg Delawie me Grupin Parlamentar të këtij subjekti.

Lajmi.net merr vesh se ky takim do të mbahet nesër.

“Të nderuar/a, në emër të GP LDK, ju njoftoj se nesër më dt: 09.05.2017, në 11:00h, në zyre të Grupit Parlamentar, mbahet takimi i GP LDK, në takim merr pjesë Kryeministri-Isa Mustafa dhe Ambasadori Amerikan-Greg Delawie, ardhja e obligueshme andaj luteni të më konfirmoni pjesëmarrjen”, thuhet në një njoftimin që kanë marrë deputetët e LDK-së sot gjatë ditës.

Të kujtojmë se kryeministri Isa Mustafa e ka shtyrë sot dërgimin e demarkacionit në Kuvend, mirëpo ka paralajmëruar së një gjë të tillë do ta bëjë pas të mërkurës, ditës ku do të hidhet në votim mocioni i votëbesimit për Qeverinë Mustafa. /Lajmi.net/