Zhdukja e optimistëve

Çfarë po shohim këto ditë është një tjetër disfatë e optimistëve politikë, të cilët janë gjithnjë e më të paktë, apo, janë një komunitet pa kurfarë të drejtash në Kosovë.

Opinion

19/11/2015 09:25

Lufta e Tretë Botërore dhe Bllokada Numër Shtatë Vendore, ishin kryelajmet nga një hapësirë pre dhjetëra metrash, në Prishtinën e të martës së 17 nëntorit.

Mbreti i Jordanisë, Abdullahu II, mbërriti në Kosovë, në një vizitë të caktuar kohë më parë, dhe në rrethanat fare të reja, të cilat shpërthyen tok me eksplodimet dhe terrorin e Parisit, të së premtës së kaluar. Pikërisht pas takimit me nikoqirin, Presidentin e Kosovës, Atifete Jahjaga, Mbreti i Jordanisë e pa të udhës të deklarojë që ‘Ne jemi duke u përballur me një Luftë të Tretë Botërore’. Ishte ky një lajm për mbarë Rruzullin Tokësorë, i dalë nga Prishtina.

Fjala luftë, zatën, me të madhe po përdoret ditëve të fundit, në kontekstin e ngjarjeve të Parisit. Abdullahu II në fakt e përsëriti thënien e Papës Françeskut, i cili reagoi ndaj zhvillimeve në Paris, pikërisht me komentin për një Luftë të Tretë Botërore, në ardhje e sipër.

Ne, këndjepari, i kemi duartë plotë telashe të tjera, që janë ‘prodhim vendor’.

Para disa javësh, mediat ndërkombëtare u morën dy-tre herë me ne, në stilin e kurioziteteve politike që mbërrijnë nga shtetet që mundohen ta fuqizojnë demokracinë, por tash këto ngjarjet në politikën kosovare, nuk meritojnë as të jenë farë fusnote e vogël në rrethanat kur flitet për luftë, kur lufta po ndodhë  (në fakt), me pjesëmarrjen e shumë shteteve, si nga Perëndimi, ashtu edhe nga Lindja.

Te ne, në Prishtinë, këtë të martë ndodhi Bllokada Numër Shtatë e punëve të Kuvendit të Kosovës, në seancë plenare. Skenat ishin po ato të herave të kaluara, me gaz lotësjellës, i cili kësaj here u përdorë në masën që në Perëndim aplikohet në rastin kur duhet shpërndarë protestën e dhunshme e cila tubon dhjetëra mijëra vet.

Të nesërmen, të mërkurën pra, Prishtina sërish u kthye në një ‘fushëbetejë’ të rrezikshme për demokracinë edhe ashtu të brishtë kosovare. Qytetarët e rëndomtë të kryeqytetit mbetën edhe një herë pa fjalë, pas gjithë atyre skenave që u panë shesheve të kryeqytetit të Kosovës.

Duket që politika kosovare, midis tjerash, pos një mori problemesh të cilat janë brenda saj, po përballet edhe me paaftësinë kronike për ta shfrytëzuar kohën politike si duhet, apo, për më keq, po tregohet e shkathtë, jashtë çdo mase, ta harxhojë dhe ta shterrë kohën kot së koti. Si në jetën e një individi, ashtu edhe në mënyrën se si merr frymë një shoqëri, nuk ka gjë më të vlefshme se sa koha. Ajo është e pakthyshme dhe e pandalshme. Vjet, ta zëmë, koha politike kosovare u pati ngujuar me 8 qershor, dhe nuk lëvizi fare, në atë periudhën e definuar konsensualisht si ‘ngërç politik’, deri në fillim të dhjetorit, kur u krijua Qeveria e re e Kosovës. Sivjet, për shkaqe të njohuar, po del që politika kosovare ende nuk ka dalë tek 27 gushti, apo, ende ka mbetë peng e 25 dhe 26 gushtit, gjegjësisht e ngjarjeve që sollën dy Marrëveshjet  (për Asociacionin dhe shenjimin e kufirit me Malin e Zi), të cilat janë bërë ‘mollë sherri’ në skenën politike vendore.

Vjet, për t’i shpëtuar disi vetëvetes, a ngulfatjes politike që kërcënonte me themel politikën kosovare, u aplikuan mekanizmat kushtetues që u përkthyen pastaj në Marrëveshje politike. U deshtën gjashtë muajë kohë për të dalë nga ngërçi politik.

Sivjet, sërish kemi në skenë Gjykatën Kushtetuese, e cila u aktivizua me Kërkesën e Presidentes Jahjaga, për ta interpretuar përputhshmërinë e Marrëveshjes për parimet e Statutit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, me disa kapituj themelorë të Kushtetutës së Kosovës. Kur javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese, me propozimin e vet Presidentes, pezulloi çdo veprim rreth Marrëveshjes për Asociacionin/ Bashkësinë, deri me 12 janar, 2016, u llogarit, siç u mor vesh më pas gabimisht, që në këtë mënyrë do të tejkalohet gjendja tepër e rëndë e mungesës së normalitetit në punimet e Kuvendit të Kosovës.

Optimistët supozuan që edhe çështja e dytë kontestuese, ajo e Marrëveshjes për shenjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, mund të adresohet disi me themelimin e një Komisioni të veçantë, vendor dhe ndërkombëtarë, i cili do të verifikonte këtë Marrëveshje. Në këtë mënyrë, ata që ende besojnë se mund të ketë racionalitet dhe pragmatizëm ndër ne, menduan që te dy çështjet do të adresoheshin si duhet, dhe që në ndërkohë, politika do t’i kthehet normalitetit.

Çfarë po shohim këto ditë, të gjithë së bashku, është një tjetër disfatë e optimistëve politikë, të cilët janë gjithnjë e më të vogël në numër, apo, janë një komunitet pa kurfarë të drejtash në Kosovë.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)