Zhbogar: S’ka azil në BE, do të ktheheni më të varfër në Kosovë (Video)

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar ka deklaruar se asnjë shtet i BE-së nuk do të pranojë azil për kosovarët. Ai ka thënë se të gjithë do të kthehen, edhe më të varfër se sa kur kanë shkuar, sepse do të dënohen.  

Lajme

13/01/2015 11:02

Zhbogar këtë deklaratë e ka thënë në mbledhjen e Këshillit për Integrim Evropian që po mbahet në Prishtinë e udhëhequr nga presidentja Atifete Jahjaga. 

“Kërkesat për azil nuk do të pranohen nga asnjë shtet i BE-së. Shumica do të refuzohen dhe ata do të riatdhesohen në Kosovë dhe kur të kthehen do të bëhen më të varfër sepse do të dënohen”, ka thënë Zhbogar. 

Sipas tij migrimi ilegal ka tri probleme atë ekonomik, të sigurisë dhe humanitar. Zhbogar tha se asnjë qytetar nuk mund ta lë atdheun e tij nëse e ka një vend të mirë të punës, prandaj sipas tij duhet të ketë zhvillim ekonomik. 

Shefi i zyrës së BE-së ka bërë apel jo vetëm te autoritetet e Kosovës por edhe të vendeve të BE-së që t’i ndalin grupet kriminale të cilat po përfitojnë nga dëshpërimi i kosovarëve.