Zhbllokohet importi i vezëve, bie çmimi në Tiranë

Zhbllokimi i tregtisë së vezëve mes Kosovës dhe Shqipërisë ul brenda ditës çmimin e këtij produkti në Tiranë. Menjëherë pas arritjes së marrëveshjes në Prishtinë nga ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, dhe pala kosovare, për heqjen e barrierave doganore, çmimi i vezëve në Tiranë ka rënë deri në 5 lekë.

Lajme

01/10/2015 21:10

Nga një vëzhgimi ynë në tregjet me shumicë dhe pakicë të kryeqytetit, konstatohet se gjatë ditës së djeshme ka pasur për vezët çmime që variojnë nga 5 deri në 8 lekë. Gjatë takimit me homologun kosovar, Memli Krasniqi, ministri Panariti tha se “Shqipëria ka hapur dyert për eksportin e produkteve kosovare pa barriera”, raporton “Kosova press”.

“Hapja e dyerve të kufirit tani për tani është bërë vetëm për eksportimin e vezëve, për të vazhduar në të ardhmen edhe me projektin e përbashkët për eksportimin e miellit”, u shpreh Panariti duke shtuar se këtë projekt të përbashkët do të kem kënaqësinë që ta nënshkruajmë në Prishtinë ose në Tiranë dhe nuk do të kemi më historia që kanë ndodhur në të kaluarën me eksportimin e miellit.

Ministri Panariti vuri në dukje se jemi duke punuar për praktika të njehsuara për të gjitha produktet që në të ardhmen të mos ketë asnjë lloj pengese në eksportimin e këtyre produkteve në të dyja anët e kufirit.

Në takim, ministri Panariti firmosi edhe njohjen e certifikatës veterinare me anë të së cilës Kosova do të bëjë eksportin e vezëve nga Kosova në Shqipëri. Ministri i Bujqësisë, Pyjeve dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Memli Krasniqi, nënvizoi se “vizita e ministri Panariti vjen vetëm pak ditë pas vizitës që ne kishim me presidenten e vendit në Shqipëri, ku diskutuam gjerë e gjatë për shumë çështje që ndërlidhen me avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë”.

Më vjen mirë, vijoi ai, që menjëherë pas këtij takimi kishte një reagim pozitiv, në radhë të parë nga pala shqiptare ku siç e dini u morën hapa për të lehtësuar eksportin e rrushit nga Kosova në Shqipëri. Ministri Krasniqi bëri të ditur se janë ndërmarrë edhe hapa të tjerë që ndërlidhen me krijimin e mundësive tashmë për eksportin edhe të vezëve nga Kosova në Shqipëri, ku jemi në fazën e finalizimit të unifikimit të standardeve të cilësisë edhe për produktet e tjera./Gazeta-shqip.co,