Zhbllokimin politik do ta bëjnë ndërkombëtarët

Bllokada e politikës dhe vakumi institucional do të tejkalohen shumë shpejt. Sipas dy analistëve, kjo do të ndodhë nga ana e faktorit ndërkombëtar në Kosovë.

Lajme

21/10/2014 00:46

Analisti Shpend Kursani në “Interaktiv” të KTV-së, duke folur për krizën politike në vend, tha se një gjendje e tillë nuk do të vazhdojë edhe shumë gjatë.

Siç thotë ai, barrikadat brenda partive politike tashmë kanë filluar të shkrihen.

“Mendoj se do të ketë zhbllokim, s’është e mundur të vazhdojë kështu. Zhbllokimi do të bëhet në mënyrë të padrejtë”, tha ai.

“Kanë filluar të shkrihen barrikadat, me disa organizime kinse të rastësishme. Mendoj se do të ketë ndërhyrje të padrejtë ndërkombëtare dhe kjo për katër arsye. E para, misionet diplomatike kanë interesa kryesore, vazhdimi i negociatave me Serbinë dhe krijimi i Gjykatës për krime lufte; çështja është që zgjedhjet të mos mbahen përsëri dhe, e katërta, çka nëse rezultati i zgjedhjeve do të jetë i njëjtë. Prandaj mendoj se do të reagojnë ata, mirëpo, çështja është se si”.

Në anën tjetër, analisti Petrit Zogaj tha se qeveria e re nuk do të duhej të udhëhiqej nga liderët e partive ekzistuese.

“Besoj se zhbllokimi mund të vijë. Zhbllokimi do të jetë, por njëkohësisht do të jetë mirë që politika të hapet. Sepse partitë politike janë bërë si pronë private, ku lideri vendos gjithçka”.

Sipas tij, “qeveria nuk duhet të udhëhiqet nga liderët aktualë të partive politike. Të paktën jo nga Thaçi dhe as nga Haradinaj”.

“Këtu mund të shohim ndonjë kalkulim të lehtë, ndoshta Isa Mustafa. Besoj se nëse do t’i ofrohej një mundësi ku ai do të udhëhiqte, do të ishte kryeministri i ardhshëm”.

Zogaj ka thënë se diskursi i Bllokut nuk po lë hapësirë që liderët të bëjnë kompromis me disa liderë të tjerë për të ardhur deri te qeveria e ardhshme, ndërsa PDK po interpreton nga Gjykata Kushtetuese sikur gjithçka të ishte në anën e saj.

 “PDK po tenton të interpretojë gjithçka nga Gjykata Kushtetuese sikurse është në anën e saj”.

Sipas Zogajt, “kjo është tendencë e vetme që PDK të mbetet në lojë dhe të kushtëzojë çdo veprim politik të përfshinte edhe këtë subjekt politik”.