Zharku premton heqje të TVSh-së për Bukë, vaj dhe qumësht

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ka deklaruar se Qeveria do të angazhohet për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSh) për artikujt bazë.

Lajme

27/02/2015 15:35

Ai në një intervistë për RTK-në, ka thënë se programi i ri qeverisës do të jetë më i miri që është hartuar që nga paslufta në vend.

Sipas tij, ky program është hartuar nga dy partitë më të mëdha në Kosovë dhe si i tillë do të ndikojë në zhvillimin dhe përmirësimin e mirëqenies sociale në vend.

“Programi është në pesë shtylla, program i shpresës, zhvillimi ekonomik, synimi dhe rëndi i ligjit, integrimeve evropiane, arsimin dhe shëndetësia”, ka thënë Zharku për Televizionin Publik

Sipas tij, Qeveria do të angazhohet për uljen e TVSH-së për disa artikuj elementarë. “TVSH do të ketë reduktime për prodhimet e konsumit të përgjithshëm. Nga TVSH-ja do të lirohet buka, vaji dhe qumështi. Pra, nëse sot e paguajmë bukën 30 centë, nesër do ta paguajmë 25 centë”, është shrehur Zharku. Ai ka shtuar se synimi i Qeverisë është që produktet kosovare të jenë me të mirat në rajon!

Duke folur rreth krijimit të Fondit për Zhvillim, ministri Zharku, ka thënë se krijimi i këtij Fondi do të bëhet me mjete të privatizimit, një pjesë nga buxheti i shtetit dhe nga donatorë të jashtëm.