Zharku kërkon nga Haradinaj shkarkimin e Lekajt dhe anulimin e vendimit për 53 milionë euro

Ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, tash deputet nga radhët e LDK-së, ka thënë se ndarja prej 53 milionë eurove nga Qeveria e Kosovës për kompaninë Bechtel Enka nuk ka bazë ligjore e as kontraktuale.

Lajme

05/07/2018 13:01

Zharku në interpelancën e kryeministrit Haradinaj të thirrur nga VV e LDK  për ndarjen e 53 milionë eurove për ‘Bechtel Enka’, ka thënë se projektin e ndërtimit të autostradës “Arbër Xhaferi” edhe Qeveria edhe kompania kanë hyrë në një kontratë, të vetëdijshme për problemet që do të dalin, në buxhet dhe vonesën e punimeve.

Zharku gjatë fjalimit të tij ka thënë se ndarja e mjeteve për Bechtel Enkan është bërë në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Ai ka thënë se për ndarjen e këtyre mjeteve nuk është respektuar as opinioni i kompanisë amerikane e kontraktuar për menaxhimin e kontratës.

“Përftimi nga kostoja prej 53 milionë eurove është në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe kjo kërkesë konsiderohet e pabazë. Duke e ditur si kërkesë të pabazë kompania ka nënshkruar marrëveshje vetëm me Pal Lekaj, duke anashkaluar menaxherin e kontratës”, është shprehur Zharku, transmeton lajmi.net

Sipas tij, Lekaj ka pranuar se ka shkelur rregullat e kontratës edhe më një shkresë zyrtare dërguar anëtarëve të komisionit për zhvillimi ekonomik të Kuvendit.

Ai ka përmendur si tjetër dëshmi se kjo ndarje është bërë në mënyrë jo ligjore, mungesën e ministrit të Financave  Bedri Hamza në mbledhjen e komitetit ndërministror dhe në mbledhjen e Qeverisë kur janë ndarë mjetet.

Ai ka kërkaur nga kryeministri Haradinaj shkarkimin e Pal Lekaj dhe anulimin e kontratës për ndarjen e 53 milionë eurove për Bechtel Enkan./Lajmi.net/