Zgjidhja është te Blloku

Sekretari Organizativ i AAK-së, Blerim Kuçi ka thënë se ai pret që PDK-ja dhe 36 deputetët e koalicionit të saj, të lirojnë rrugë sepse sipas tij, vetëm me shumicën parlamentare të bllokut, mund të tejkalohet ngërçi politik.

Lajme

05/11/2014 07:47

“Tejkalimi është shumica parlamentare. Në një republikë parlamentare siç është Kosova, ata që e kanë shumicën në Kuvend e kanë të drejtën për konstituimin e institucioneve funksionale. Prandaj, nëse ka demokraci, zgjidhja është tek shumica, por po shihen elemente që s’po ka demokraci dhe për herë të parë 36 deputetë po i bllokojnë 63 deputetë”. ka thënë Kuçi në një intervistë dhënë për Epoka e Re.

“Pres që PDK-ja dhe 36 deputetët e saj duhet të shkojnë në shtëpi për një kohë të gjatë derisa të mbushen mend se si duhet të udhëhiqet shteti”.

I pyetur për një ridizajnim të mundshëm të marrëveshjes në mes të LDK-AAK-Nisma, Kuçi mendon se është çështje e liderëve të merren me këtë punë dhe pohon se deri më tani nuk ka asnjë element, që tregon se koalicioni i bllokut mund të prishet.

“Kjo është çështje e liderëve të partive të koalicionit dhe ata mund ta gjejnë zgjidhjen në mes vete”.

“Deri më tani asnjë element nuk ka për prishje. Pra, nuk ka prishje të koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe VV. Mirëpo, koalicioni është në hulumtim për të gjetur një zgjidhje për të mos pasur probleme të funksionimit të shtetit”, ka thënë Kuçi.