Zgjerohet rrethi i të dyshuarëve për përfshirje në krime

Rastet e fundit të bastisjeve dhe hetimeve për krim të organizuar kanë çuar në dyshime të reja për vepra tjera kriminale. Burime të lajmi.net pohojnë se priten hetime të cilat do të përfshijnë politikanë dhe familjarë të tyre, si dhe zyrtarë institucionalë.

Lajme

22/02/2014 16:10

Rrethi i hetimeve për krim të organizuar është duke u zgjeruar edhe më tutje në Kosovë, pas aksioneve të fundit të ndërmarra nga autoritetet e rendit.

Burimet e lajmi.net bëjnë të ditur se tashmë janë mbledhur prova të bazuara për fillimin e hetimeve për raste të reja të veprave kriminale, në të cilat thuhet se përfshihen një numër i madh i zyrtarëve institucionalë.

“Dyshimet kanë të bëjnë më keqpërdorime, korrupcion, krim të organizuar, si dhe vepra tjera kriminale. Rrethi i të dyshuarëve tashmë është zgjeruar, për të përfshirë zyrtarë dhe ish-zyrtarë qeveritarë e komunalë, si dhe familjarë të figurave të shquara të skenës politikë kosovare.”, ka thënë ky burim për lajmi.net.

Një pjesë e këtyre hetimeve, siç pohohet, lidhen me “Grupin e Velanisë”.

Gjatë bastisjeve të dhjetë personave në fillim të muajit shkurt, në rastin ku është përfshirë edhe Deputeti dhe djali i ish Presidentit Ibrahim Rugova, Uka, janë gjetur materiale të shumta, që janë konfirmuar edhe nga Prokuroria dhe të cilat duket se kanë hapur rrugë të reja për hetime shtesë.

Pjesa tjetër e hetimeve, ndërkaq, flet për raste tjera të reja.