Zgjedhjet përmbushën standardet

Shefi i Misionit të Vëzhguesve të BE’së, Roberto Gualtieri, thotë se në ditën e votimit vetëm 3.5 për qind e rasteve të vrojtuara kanë rezultuar negative, kurse 96.5 për qind kanë qenë në rregull. Sipas tij, strandardet në zgjedhjet e 3 nëntorit u përmbushën.

Lajme

10/11/2013 14:44

Shefi i Misionit të Vëzhguesve të Bashkimit Europian për zgjedhjet lokale në Kosovë, Roberto Gualtieri, ka deklaruar se zgjedhjet lokale të 3 nëntorit i kanë përmbushur standardet demokratike.

Sipas tij, në ditën e votimit vetëm 3,5 për qind e rasteve të vrojtuara nga vëzhguesit e BE’së kanë rezultuar “të dobëta”, ndërsa 96,5 për qind e rasteve janë vlerësuar “mirë”.

I pyetur nga DW për përmbushjen apo jo të standardeve për zgjedhje të lira e demokratike, kreu i Misionit Vëzhgues të BE’së është përgjigjur pozitivisht.

“Po, u përmbushën!”.

“Natyrisht, ne kemi identifikuar edhe disa probleme, kufizime, të cilat i trajtojmë në raportin preliminar”.

Sipas tij, zgjedhjet e 3 nëntorit ishin një sfidë e vështirë për dy arsye.

“Së pari, sepse në pjesën më të madhe të vendit, po të lëmë mënjanë katër komunat në Veri, mbizotëronte një nivel i ulët besimi në karakterin transparent dhe të lirë të zgjedhjeve, për shkak të eksperiencës shumë negative të vitit 2010. Pra, në këto zgjedhje ishte e rëndësishme të bëhej një hap përpara në krahasim me ato paraardhëse”.

“Së dyti, në Veri ishte një sfidë, pasi kishim fushatën për bojkotim dhe probleme shumë të komplikuara për t’u zgjidhur për realizimin e zgjedhjeve në kuadër të ligjeve të Kosovës”.

“Këto dy sfida u përballuan dhe rezultati ishte mjaft pozitiv – jo i përsosur, por pozitiv në të dyja rastet”.

Një problem tjetër i zgjedhjeve, sipas  Gualtierit, ishte besimi i ulët në korrektësinë e listave të votuesve, pasi nuk ishin kryer punët për pastrimin e tyre.

“Sa i takon mediave, në përgjithësi ato u kanë ofruar hapësirë të gjitha subjekteve elektorale të shprehin opinionet e tyre. Natyrisht, ne kemi konstatuar edhe disa parregullsi, si p.sh. që transmetuesi publik RTK i ka dhënë disi përparësi partisë në pushtet, etj.”.

“Ka pasur edhe akuza për blerje votash, apo punonjës publikë që janë detyruar të marrin pjesë në aktivitete elektorale. Pra, ka pasur një numër episodesh që ne i kemi regjistruar dhe i raportojmë si probleme që duhen tejkaluar”.

“Por, përmasat e këtyre episodeve në tërësinë e procesit elektoral janë të kufizuara. Pra, edhe në statistikat e hartuara nga vëzhguesit tanë, p.sh. në ditën e votimit, vetëm 3,5 për qind e rasteve të vrojtuara kanë rezultuar ‘të dobëta’ ose ‘negative’, ndërkohë që gjithë pjesa tjetër, pra 96,5 për qind e rasteve janë vlerësuar ‘mjaftueshëm’, ‘mirë’ e madje deri ‘shumë mirë’”.