Zgjedhjet, pastaj reforma

Derisa brenda dy partnerëve të koalicionit qeverisës (PDK-LDK) po diskutohet për reformën zgjedhore, ku përfshihen mbyllja e listave dhe ulja e pragut zgjedhor, subjektet opozitare thonë se kjo reformë mund të bëhet pas zgjedhjeve të parakohshme.

Lajme

15/04/2016 08:32

Pasi, sipas tyre, legjislatura aktuale nuk e ka legjitimitetin për të marrë vendime, ndërsa përfaqësues të shoqërisë civile thonë se iniciativa për reformë zgjedhore duhet të jetë sa më gjithëpërfshirëse, të konsultohen grupe të ndryshme shoqërore, partitë politike, akademia dhe qytetarët.

Po ashtu, siç thonë ata, Kosova nuk ka shumë kohë për të kryer reformën zgjedhore, pasi në bazë të rregullave të Komisionit të Venecias reforma zgjedhore duhet të përfundohet të paktën një vit para zgjedhjeve të ardhshme, e në vjeshtën e vitit të ardhshëm në Kosovë do të mbahen zgjedhjet lokale. Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka thënë për “Zërin” se legjislatura aktuale nuk ka legjitimitet që të vendosë për asnjë çështje, pra as reformën zgjedhore.

“Ne konsiderojmë se debatet për reformën zgjedhore dhe listat në këtë rast duhet të bëhen pas kthimit të legjitimitetit të Kuvendit, pra pas zgjedhjeve parlamentare pasi Kuvendi i Kosovës nuk ka legjitimitet të vendosë për asnjë çështje, përfshirë Ligjin për Zgjedhjet”, ka thënë Haxhiu.

Të njëjtin qëndrim e kanë shprehur edhe Teuta Haxhiu nga AAK dhe Valdete Bajrami nga Nisma. /lajmi.net.