Zgjedhjet në Veri janë legale

Kryeministri Hashim Thaçi thotë se pjesëmarrja në zgjedhje e serbëve në Veri definitivisht ka legjitimuar Marrëveshjen e Brukselit për një Kosovë unike, për një Kosovë të re, për një Kosovë si atdhe i gjithë qytetarëve të saj.

Lajme

05/11/2013 12:08

Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi në mbledhjen e Qeverisë se Kosova e kaloi testin europian për organizimin e zgjedhjeve të lira, demokratike dhe të konkurrencës.

Ai tha se këto zgjedhje janë vlerësuara edhe prej Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe prej verifikuesve ndërkombëtarë.

“Dëshiroj të falënderoj të gjitha institucionet që kanë qenë të involvuara në këtë proces, të gjithë spektrin politik, organizatat joqeveritare, mediet, vëzhguesit vendor, ndërkombëtar”.

“Rëndësia e dytë është se zgjedhjet janë organizuar në gjithë territorin e Kosovës, për herë të parë pas 14 vitesh”.

“Pjesëmarrja e serbëve në Veri definitivisht e ka legjitimuar Marrëveshjen e Brukselit për një Kosovë unike, për një Kosovë të re, për një Kosovë si atdhe i gjithë qytetarëve të saj, me përfaqësim në institucionet qendrore dhe lokale”.

“Me përjashtim të incidentit të izoluar, i tërë procesi ka qenë legal, i pranueshëm, i vlefshëm dhe me standarde ndërkombëtare”.

“Jemi të vetëdijshëm që ka pasur shantazhe dhe kërcënime prej grupeve të ndryshme ekstremistësh në veri, por ata që kanë prishur kutitë e votimit, do të ballafaqohen me drejtësinë vendore dhe atë ndërkombëtare”.

Thaçi tha se është dëshmuar se vetëm një vit pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, se Kosova mund të organizojmë zgjedhje fer, të lira dhe demokratike.

“Falënderoj KQZ’në për punën e tyre të shkëlqyeshme që kanë bërë, OSBE’në për ndihmesën dhe, gjithashtu Policinë e Kosovës, EULEX’in, KFORin, gjithë korin diplomatik në Republikën e Kosovës”.