Zgjedhjet në qershor privojnë diasporën nga votimi

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli thotë se nëse zgjedhjet parlamentare mbahen më 8 qershor, atëherë shtetasit kosovarë që jetojnë jashtë vendit, do të privohen nga e drejta e tyre kushtetuese për të votuar.

Lajme

05/05/2014 09:17

Në një bisedë për “Epoka e Re”, Makolli ka thënë se për qytetarët jashtë vendit, do të jetë e pamundur që për një kohë kaq të shkurtër ata të aplikojnë për të votuar në zgjedhje.

Ministri thotë se mërgimtarët kanë pasur kërkesë që zgjedhjet parlamentare të mbahen në muajin gusht, pasi që sipas tyre ajo është koha kur ka fluksin më të madh të mërgatës në Kosovë.

“Me mbajtjen e zgjedhjeve më 8 qershor ne po i privojmë nga e drejta për të votuar një numër të madh të shtetasve të Kosovës të cilët jetojnë në diasporë. Është e pamundur që mërgimtarët tanë të aplikojnë për të qenë votues të zgjedhjeve parlamentare. Ju e dini çfarë procedurash ekzistojnë për aplikim. Kosova nuk ka krijuar mekanizma që ata të votojnë në vendin ku jetojnë. Do të duhej të krijoheshin mekanizma për votimin e tyre sepse kjo është e drejtë kushtetuese”.

“Në shumë takime dhe kontakte që kemi pasur me mërgimtarët kërkesa e tyre ka qenë që zgjedhjet të mbahen në muajin gusht, pasi ka fluks më të madh të mërgatës në Kosovë. kërkesa e tyre është krejtësisht legjitime sepse është e drejtë kushtetuese. Prandaj, nëse mbahen zgjedhjet më 8 qershor, përpos pamundësisë teknike për t’i përgatitur zgjedhjet mirë dhe kredibile, nga e drejta për të votuar do t’i privojmë një numër të madh të shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit”, ka thënë Makolli.