Zgjedhjet në PE, pa ndikim në rrugën integruese të Kosovës

Rezultatet e dala nga zgjedhjet në Parlamentin Evropian (PE), nuk do të kenë ndonjë ndikim sa i përket procesit integrues për Kosovën, vlerëson njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane, Emrush Ujkani. 

Lajme

27/05/2014 19:57

E ardhmja e Kosovës drejt integrimit të BE-së, nuk është e ndikuar nga rezultatet e dala nga zgjedhjet në Parlamentin Evropian (PE), thotë Emrush Ujkani, njohës i çështjeve të integrimeve.

Rezultatet e para nga zgjedhjet në Parlamentin Evropian tregojnë se partitë e qendrës së djathtë mbesin grupimi më i fuqishëm.

Emrush Ujkani në një prononcim për lajmi.net ka thënë se për kundër rritjes së numrit të votave për euro-skeptikët, sipas tij, është më rëndësi që partitë e qendrës së djathtë mbesin me numër më të madh të votave në Parlamentin Evropian.

“Është e rëndësishme që grupimet si partitë popullore ose partitë popullore evropiane, dhe partitë socialiste evropiane kanë shumicën. Dhe ne e dimë që edhe në mandatin e kaluar ka pas numër të madh të partive ekstreme në parlamentin evropian, por PE ka gjetur mënyra për të manifestuar një gjuhë, një retorikë shumë më të avancuar në raport edhe më vendet e tjera që synojnë anëtarësimin në BE, duke përfshi këtu edhe Kosovën”.

“PE ka qenë i vetmi institucion që ka miratuar rezoluta dhe që ka bërë ftesë pesë vendeve anëtare që ta njohin Kosovën. Jam shumë i sigurt që PE do të vazhdojë me qasjen e njëjtë, sepse shifrat dhe numrat janë të tillë, përkundër që ka një laramani brenda për brenda PE-së”, tha Ujkani.

Megjithatë, ai ka sqaruar se Parlamenti Evropian nuk ka ndonjë rol edhe aq të madh në vendimmarrje kur janë në pyetje proceset integruese, për arsye se kjo është një kompetencë e shteteve anëtare që manifestohet në Këshillin e BE-së.

Por, sipas Ujkanit, këto rezultate janë shenjë të cilat tregojnë se qytetarët e BE-së janë të lodhur nga zgjerimi.

“Këto zgjedhje përçon një mesazh që vendet e BE-së, qytetarët e BE-së, jo që kanë filluar të lodhen nga zgjerimet e mëtutjeshme, por lodhur edhe nga fakti që ka një shkëputje bukur të madhe nga qendra e vendimmarrjes në Bruksel dhe të vet qytetarët  BE-së”.

“Këto zgjedhje përçojnë edhe një mesash tjetër, i cili jo vetëm që e konteston zgjerimet me shtete të reja, por i konteston edhe vetë integrimet e brendshme”, tha ai për lajmi.net.

Sipas rezultateve jozyrtare të publikuara para pak çastesh në Bruksel, Partia Popullore Evropiane (PPE), e cila grumbullon partitë e qendrës së djathtë, ka fituar gjithsej 216 nga 571 ulëse në PE, dhe me këtë e ka ruajtur epërsinë nga përbërja e kaluar.

Partia e socialistëve dhe demokratëve evropianë mbetet e dyta me 197 ulëse, përkatësisht dy më pak se në mandatin e kaluar.

Humbje  më të madhe e shënuan liberalët, të cilët nga 84 vende në mandatin e kaluar, tash do të kenë gjithsej 59, derisa të gjelbrit do të kenë 49 ulëse, 12 më pak se më parë.

Dalja e votuesve në këto zgjedhje ishte e vogël dhe sillej nga 19.6 për qind në Sllovaki, e deri në 35 për qind në Francë.