Zgjedhjet në LDK do të mbahen në muajin maj (Video)

Zgjedhjet në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) do të mbahen në maj të këtij viti. Ky është njoftimi që e ka bërë të ditur për media kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.

Lajme

09/01/2015 16:12

Mustafa ka thënë se procesi zgjedhor brenda partisë do të fillojë në fillim të marsit ndërsa do të përfundojë më 15 maj.

Ai ka premtuar se në këto zgjedhje do të ketë një garë fer dhe korrekte, duke thënë se, për dallim me zgjedhjet tjera, kësaj radhe do të ketë të përfshirë edhe kandidate femra.

“Sot në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm u vendos që të hapet procesi i brendshëm zgjedhor. Ky proces do të fillojë nga 10 marsi dhe presim që të përfundojë më 15 maj”.

“Do të përpiqemi që të jetë një proces demokratik duke i dhënë më shumë hapësirë anëtareve femra dhe do të ketë një konkurrencë fer dhe të drejtë”, ka thënë Mustafa, transmeton lajmi.net.

Mustafa ka folur edhe për emërimin e zëvendësministrave, temë kjo që është debatuar mjaftë kohëve të fundit. Ai ka bërë të ditur se me caktimin e tyre do të merret Këshilli i Përgjithshëm, duke filluar nga java e ardhshme.

“Këshilli i Përgjithshëm i partisë është i ngarkuar me çështjen e emërimit të zëvendësministrave, dhe  për këtë çështje do të fillojmë të punojmë nga java e ardhshme”. (lajmi.net)