Zgjedhjet, hapen qendrat e votimit

Në orën 07:00 të mëngjesit janë hapur qendrat e votimit në të gjithë vendin, ku 3 milionë e 452 mijë e 260 shqiptarë kanë të drejtë për të votuar në zgjedhjet parlamentare.

Lajme

25/06/2017 07:51

Për herë të parë në këto zgjedhje do të votojnë 136.239 persona, ndërsa për herë të parë në vendin tonë, si pasoje e ligjit të dekriminalizimit, nuk do të kenë të drejtë vote 1367 të dënuar.

Në këto zgjedhje marrin pjesë 18 parti politike, me 2666 kandidatë të regjistruar për deputet. Në mbarë vendin janë ngritur 5362 qendra votimi, ndërsa zgjedhjet dhe mbarëvajtja e tyre do të vëzhgohen nga 5351 vëzhgues, nga të cilët 896 janë nga misionet vëzhguese ndërkombëtare.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka votuar mëngjesin e së dielës në qendrën e votimit tek “Liceu Artistik”, në rrugën e Elbasanit.

Në një prononcim për mediat, Zguri ka bërë thirrje për votim me maturi, ndërsa ka nënvizuar se nga KQZ janë bërë të gjitha hapat për të mundësuar një gjë të tillë.

“Zgjedhjet duhet të jenë të qeta dhe të lira. Ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet. Ftoj çdo shqiptar të votojë e të shprehë vullnetin e tij i lirë”, ka thënë Zguri.

Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes, orar pas të cilit komisionerët e qendrave të votimit do të mbyllin kutitë me materialet zgjedhore shoqëruar me procesverbalet përkatëse./ Top Channel