Zgjedhjet greke fundosën euron në minimumin 11-vjeçar

Valuta e përbashkët e eurozonës sot është fundosur në minimumin 11-vjeçar në krahasim me dollarin amerikan, pas fitores së të majtës radikale greke Syriza në zgjedhjet e parakohshme në Greqi, duke rritur drojën për daljen e këtij vendi nga unioni monetar evropian. 

Bota

26/01/2015 21:50

Euro sot në një moment ra në 1.1098 dollarë, që është niveli më i ulët qa nga shtatori i vitit 2003, por gjatë ditës më vonë sërish u ngrit në 1.1283 dollarë, transmeton agjencia e lajmeve AFP.

Megjithëkëtë lëvizje negative të euros, vlera e aksioneve evropiane është ngritur.  “Rezultatet e zgjedhjeve në Greqi nuk e kanë befasuar askënd dhe tregjet i kanë pritur ato. Pos kësaj, rritjes së aksioneve i ka kontribuar edhe përmirësimi i besimit afarist në Gjermani”, tha analisti i firmës britanike CMC markets, Jasper Loler.

Besimi afarist në Gjermani në janar ka shënuar ngritje më të latë në gjashtë muajt e fundit, kumtoi instituti ekonomik gjerman IFO.

Indekset e bursave shënuan ngritje si në Gjermani, Britani të Madhe, Itali, Spanjë, Greqi, por deri diku, ndonëse më pak edhe në SHBA, derisa në Azi u regjistrua në rënie e vogël.