Zgjedhjet fer ndihmojnë integrimin

Kryeministri Thaçi ka vlerësuar se fushata e filluar dy ditë më parë është duke kaluar në një “frymë fer, të lirë dhe demokratike”.

Lajme

04/10/2013 13:46

Kryeministri Hashim Thaçi i ka dhënë sot mbështetje Misionit të Bashkimit Europian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë, ndërsa ka vlerësuar se fushata e filluar dy ditë më parë është duke kaluar në një “frymë fer, të lirë dhe demokratike”.

Thaçi është takuar sot me kreun e këtij misioni Roberto Gualtieri, të cilin e ka falëndëruar për pranimin e ftesës nga Komisioni Europian për monitorimin e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.

Kryeministri Thaçi theksoi rëndësinë historike që kanë këto zgjedhje me faktin se organizohen për herë të parë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, ka përmbushur me kohë të gjitha obligimet që i takojnë në raport me Komisionin Qendror Zgjedhor lidhur me organizimin e zgjedhjeve dhe i ka dhënë mbështetjen e plotë këtij komisioni, si organ përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve të 3 nëntorit.”

“Mbarëvajtja e procesit zgjedhor do t’i hap rrugë integrimeve europiane, për çka janë duke punuar fuqishëm institucionet e Kosovës”.

Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Shefi i vëzhguesve për zgjedhje nga Komisioni Europian, Roberto Gualtieri, ka falenderuar Kryeministrin Thaçi për rolin e tij dhe të Qeverisë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 3 nëntorit.