Maloku: OSBE nuk është kompetente për organizim të zgjedhjeve serbe në Kosovë

Pas dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, është deklaruar nga ana e delegacionit të Serbisë se në këto negociata është diskutuar për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, gjë që është mohuar nga Ministrja për dialog Edita Tahiri gjatë një interviste në Info Magazine në Klan Kosova.

Lajme

20/04/2016 19:04

Mirëpo, diçka e tillë po kundërshtohet dhe po cilësohet si e dëmshme nga një ish anëtar i Këshillit Qendror Zgjedhor të Kosovës.

Fadil Maloku, në Info Magazine në Klan Kosova ka thënë se bisedimet janë të turbullta dhe se nuk ka mundësi të mos jetë diskutuar në Bruksel për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

“Paraprakisht do të duhej që ta bënim një rezyme për bisedimet që po zhvillohen në Bruksel. Është diskutim edhe mediatik edhe i qytetarëve, se bisedimet janë të mjegulluara, nuk ka informacion. Kjo është absurde”.

“Edita Tahiri mund të thotë se nuk ka zgjedhje se ajo e do edhe një mandat qeveritar, mirëpo unë e informoj publikun në bazë të parametrave logjik. Këtu po ndodhin gjëra që po e cenojnë integritetin dhe territorialitetin e Kosovës. Unë besoj që do të mbahen zgjedhjet serbe në Kosovë”.

Maloku thotë se OSBE-ja nuk duhet të ndërhyjë në zhvillimin e zgjedhjeve në Kosovë, për shkak se kompetenca të tilla ka vetëm KQZ-ja.

“OSBE-ja nuk ka të drejtë të ndërhyjë në vendimet që i ka marrë KQZ-ja në Kosovë. Edita thotë që nuk është biseduar fare për zgjedhjet, ndërsa ne kemi fushatë të një vendi tjetër në Republikën e Kosovës. Nuk është e mundur të mos jetë diskutuar fare për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë në dialogun në Bruksel. Mendoj që është urgjente  të arrihet një marrëveshje për organizimin e këtyre zgjedhjeve”.

Ndërsa, në anën tjetër anëtari aktual i KQZ-së, Binak Vishaj thotë se në Serbi tashmë ka fushatë elektorale dhe po thuhet se në Kosovë do të ketë zgjedhje. Sipas tij, serbët e Kosovës që kanë dy shtetësi, mund të votojnë, por se përmes formave të caktuara e që i njeh ligji.

“Ne jemi dëshmitarë që në Serbi atje zhvillohet aktivitet elektoral. Është futur si rend i ditës diskutimi për zgjedhjet serbe në Kosove, ndërsa plani operacional është duke u zhvilluar ne Serbi për përgatitjen e zgjedhjeve ata që kanë dyshtetësi kanë të drejtë të ushtrojnë këtë të drejtë, mirëpo duhet te caktohet forma”.

“Qytetarët me dy shtetësi i kanë edhe rregullat se si duhet të votojnë. Janë ambasadat dhe qendrat e grumbullimit ku mund të dërgohen votat”, ka deklaruar Vishaj.

Sipas tij, vetëm KQZ-ja do të duhej të organizonte zgjedhje në Kosovë dhe çdo përpjekje tjetër për organizim zgjedhjesh, është ilegale.

“Vetëm KQZ do të duhej të organizojë zgjedhje dhe çdo aktivitet tjetër elektoral, është i paligjshëm dhe e cenon kushtetutën dhe ne e kundërshtojmë fuqishëm”.

Ai thotë se KQZ-ja nuk ka asnjë informatë se si do të organizohen zgjedhjet serbe në Kosovë dhe se Kosova po fyhet nga politikanët serbë nëpër fushata elektorale.

“Nuk kemi asnjë informatë se si do të bëhet organizimi i zgjedhjeve në Serbi dhe ky është organizim paralel nga institucione të një vendi tjetër. Po shpërndahet material zgjedhor dhe po mbahen tubime elektorale ku po fyhet Republika e Kosovës. Krejt çka mund të bëjmë, është t’ju bëjmë ftesë që të respektojnë Kushtetutën e Kosovës”, është shprehur Vishaj.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka thënë se në Bruksel nuk është diskutuar asgjë lidhur me zgjedhjet e Serbisë në Kosovë edhe pse për një gjë të tillë ka pasur tendenca nga delegacioni serb. Mirëpo, sipas saj do t’ju lejohet votimi qytetarëve që kanë dy shtetësi.