“Zgjedhjet e parakohshme e nxjerrin Kosovën nga amullia”

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka thënë se e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo krizë dhe nga kjo amulli është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.

Lajme

21/03/2017 09:49

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se koalicioni qeverisës PDK – LDK nuk ka fuqi për t’i çuar përpara çështjet që janë me rëndësi vitale për shtetin.

“Ky koalicion qeverisës i ka numrat, por nuk ka fuqi politike të procedojë me çështjet vitale për Kosovën siç është çështja e ushtrisë dhe çështjet e tjera. Koalicioni PDKLDK nuk ka fuqi për t’i çuar përpara çështjet që janë me rëndësi vitale për shtetin. Vetëm me zgjedhje mund të dilet nga kjo krizë. Pra, insistojmë në zgjedhje sepse ato janë zgjidhja më e mirë”, është shprehur Lekaj.

Ai ka shtuar se AAK-ja është e gatshme dhe e përgatitur për të marrë pjesë në këto zgjedhje, ndonëse aktualisht lideri i saj, Ramush Haradinaj, po mbahet padrejtësisht në Francë. “Aktualisht kemi mungesën e liderit Ramush Haradinaj, i cili pa të drejtë po mbahet në Francë. Megjithatë, si parti jemi të përgatitur dhe të gatshëm për të shkuar në zgjedhje dhe jemi mjaftë seriozë në këtë drejtim. Koalicion do të bëjmë me qytetarët dhe me askënd tjetër. Ne mendojmë se do t’i fitojmë këto zgjedhje”, ka theksuar Lekaj.

Në këtë intervistë Lekaj ka folur edhe për takimin e fundit ndërmjet përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës që është mbajtur në Tiranë javën e kaluar. Ai ka theksuar se takimet e tilla nuk duhet të vazhdojnë pasi nuk po sjellin rezultate pozitive.

“Këto iniciativa dhe takime nuk kanë pasur rezultate. Madje po mbahen vetëm si traditë sa për t’u takuar dhe për të biseduar, kurse në fund nuk po konkretizohen gjërat. Takimet e deritanishme nuk kanë qenë dobiprurëse. Me këto takime vetëm po humbim kohë. Pra, po humbim shumë kohë për t’u takuar dhe për të diskutuar, e fundi i tyre nuk po sjell asnjë rezultat pozitiv”, ka deklaruar Lekaj.