Zgjedhjet e balotazhit ndërrojnë edhe disa deputetë të parlamentit

Shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës garuan për zgjedhjet lokale në vend derisa disa prej tyre do të takohen edhe në balotazhin e kësaj të diele që do të zhvillohet në 19 komuna nga 38 sa janë gjithsej.

Lajme

16/11/2017 20:08

E në rast se ndonjëri prej këtyre kandidatëve fiton në komunën përkatëse, në Parlamentin e Kosovës vendoset për një emër të ri, në postin e deputetit.

Lëvizja Vetëvendosje ka tre deputetë të Kuvendi të Kosovës të cilët janë kandidat për balotazhin e së dielës në disa komuna.

Mytaher Haskuka në komunën e Prizrenit, Sami Kurteshi në komunën e Gjilanit dhe Qëndron Kastrati në atë të Kamenicës.

E janë tre emra potencial të cilët do të mund të vihen në Kuvendin e Kosovës në bazë të mbledhjes së votave të arritura në zgjedhjet parlamentare më 22 tetor.

Shemsi Syla, Salih Zyba dhe Ylli Hoxha, janë tre emrat që do të mund t’u bashkohen Kuvendit të Kosovës, për legjislaturën e tanishme.

Pjesë e këtyre ndryshimeve është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka një deputet kandidat për komunën e Prishtinës.

Në rast që kandidati i LDK-së, Arban Abrashi, fiton të drejtën e udhëheqjes së kryeqytetit, në vendin e tij si deputet në Parlament, do të vihet Blerim Grainca, raporton Indeksonline.

Deputeti i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Gani Dreshaj, është kandidat për komunën e Istogut, në balotazhin e së dielës, e që në Kuvendin e Kosovës në rast të fitores së tij pritet ta zëvendësojë Muharrem Nitaj.

Nitaj tashmë ka një post në Qeverinë e Kosovës dhe nuk dihet nëse do të vendosë për ndryshim të postit.

Deputetja nga radhët e Alternativës, tani kandidate për komunën e Gjakovës, Mimoza-Kusari Lila, në rast të fitores së saj në Gjakovë, në Parlamentin e Kosovës do të mund të zëvendësohet nga Haki Demolli i cili kandidoi në koalicionin parazgjedhor të LDK-AKR-Alternativa.

Në rast së fitores së këtyre kandidatëve në komunat paraprake, Kuvendi  i Kosovës do të ketë numër të madh të ndryshimeve sa i përket strukturës përbërëse./Indeksonline