Zgjedhjet e 11 qershorit zgjidhin tre dilema të Shtetit të Kosovës

Zgjedhjet e 11 qershorit 2017 do të tregojnë nëse Kosova do të fuqizohet nga brenda e do të bëhet partnerë kredibilë me SHBA, NATO e BE e t’i bindë ashtu armiqtë se nuk do të zhbëhet kurrë, ose do të tregojnë se si do të thellohet kriza, si do të rritet dyshimi i aleatëve në mundësitë e Kosovës e si do të rriten apetitet e armiqve, për ta gllabëruar në kthesën e parë të ndryshimit eventual gjeopolitik në favor të pansllavizmit.

Opinion

04/06/2017 16:32

Zgjedhjet e parakohshme parlamenare të 11 qershorit 2017 mund të japin përgjigje definitive lidhur me pozitën e Kosovës në sytë e shtetasve të saj, në sytë e aleatëve strategjikë (SHBA-ve, NATO-s e BE-së) dhe në sytë e armiqve të saj më të rrezikshëm, në rend të parë të Serbisë e të Rusisë. Prandaj, edhe pse janë zgjedhje të parakohshme, të imponuara nga paaftësia e ish kryeministrit Isa Mustafa, këto zgjedhje kanë rëndësi shumë të madhe për të ardhmen e këtij vendi. Pse? Sepse mënyra e deritashme e funksionimit të këtij shteti, që i ngjet personit që ecën me paterica, është konsumuar dhe kërkon të zëvendësohet urgjentisiht me një mënyrë strandarde të funksionimit të shtetit ligjor, të inkuadruar qartësisht në aleancat politike e ushtarake konkrete, për ta mbyllur ashtu çdo opcion të rrëshqitjes drejt shtetit të dështuar, gjë që e ëndërrojnë ende armiqtë e Kosovës. Deri sot, funksionet e shtetit mirëfilli ligjor, të subjektit kredibil me partnerët strategjikë dhe të shtetit të suksesshëm, shteti i Kosovës i kanë kryer vetëm pjesërisht dhe në mënyrë jo bindëse. Prandaj, kjo mënyrë gjysmake e funksionimit të tij ka ardhur në fund të rrugës. Kuvendi që nuk është i aftë të miratojë ligje dhe të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare, si edhe qeveria që nuk ka guxim të procedojë ligje në Kuvend, natyrisht që duhet të shpërbëhen dhe ashtu t’u kthehet qytetarëve mundësia që të shprehin vullnetin e tyre politik. Këtë mundësi tashmë e kanë rifituar qytetarët eKosovës, gjë që do të realizohet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit. Vullneti i tyre do të ketë reflektime mbi vetë Kosovën, mbi raportet e saj me aleatët strategjikë dhe me armiqtë e saj të egër, më shumë se kurrë deri sot. Në fakt, deri sot ka pasur jo pak paqartësi në këtë vullnet, sigurisht edhe për shkak të sistemit zgjedhor, që është dizajnuar për të prodhuar një shtet as mish as peshk, më shumë për interesat e minoriteteve dhe prezencës ndërkombëtare, se sa të vetë shqiptarëve. Sidoqoftë, këto zgjedhje pritet të japin përgjigje në tre çështje vitale.

Pa frymëzim nacional nuk dilet nga pozita nokoloniale

E para, shtetasit e Kosovës, ndonëse kanë bërë një rezistencë spektakulare kundër okupimit serb, gjatë këtyre viteve nuk e kanë gjetur mënyrën e duhur që të identifikohen me shtetin e vet. Fillimisht ishte një mbështetje e madhe dhe naïve në faktorin ndërkombëtar, me idenë që faktorët ndërkombëtar ishin këtu që të kryenin të gjitha punët e shtetndërtimit dhe të ngritjes së një shoqërie të lirë e demokratike. UNMIK-u e OSBE-ja që nga vitit 1999 vërtet e filluan procesin e ngritjes së institucioneve në Kosovë. Organizuan edhe zgjedhjet lokale e parlamentare, funksionalizuan doganat, transmetuesin publik, transformimin e UÇK-së në TMK, etj. Kështu filloi formimi i një kostruksioni institucional të Kosovës, pas shkatërrimit që kishte bërë okupimi serb. Por, koncepti me të cilin u formuan institucionet e përkohshme, ishte tipik neokolonial. Ato ishin të konceptuara si zgjatime të prezencës civile ndërkombëtare, ishin në shërbim të tyre, të kontrolluara prej tyre. Pas pavarësimit më 17 shkurt 2008, filloi njëfarë pavarësimi i institucioneve, por baza mbi të cilën ato ishin formuar, pamundësoi pavarësimin e tyre të plotë nga diktati i faktorit ndërkombëtar. Zgjedhja e Behxhet Pacollit për president të Kosovës, me kombinatorika të sms-ve të një ambasadori dhe pas tij e Atifete Jahjagës, duke e nxjerrë emrin e saj nga zarfi, është praktikë e neveritshme e atij modeli të ndërtimit të institucioneve me parashenjë nekoloniale. Nga ana tjetër, edhe fakti që nuk u lejua që Kosova të kishte ushtrinë e saj dhe nuk lejohet as sot, është tregues i pozitës neokoloniale të Kosovës në raport me faktorët ndërkombëtar. Faktikisht, institucionet e sms-ve dhe të zarfave, qytetarët nuk i pranuan si të vetat. Por, as politikanët e seleksioniar me metoda okulte, nuk u identifikuan plotësisht me to. Pasoi seleksionimi negativ i kuadrove, korupsioni endemik dhe dhuna që përshkoi jetën partiake e politike. Po t’i ndienin si të vetat këto institucione dhe po të identifikoheshin me to, qytetarët e politikanët, dukuritë e tilla shtetrrënuese do të viheshin shpejt nën kontroll. Me kohë, zhgënjimi i kaploi qytetarët deri në atë masë sa shumë prej tyre filluan të shprehin nostalgji për kohën e Titos! Ndërsa, shumë të tjerë filluan të planifikonin ikjen nga ky vend, si të iknin nga një vend ku ka rënë kolera! Prandaj, mund të thuhet se këta qytetarë dhe këta politikanë e kanë rastin e fundit që të ndryshojnë mentalitet e sjellje, që të sillen ndaj Kosovës si ndaj atdheut të vet. Nëse arrihet ky ndryshim mentaliteti e sjelljeje, gjasat që Kosova të bëhet shtet i suksesshëm janë shumë më të mëdha. Krijimi i dy blloqeve të mëdha politike për zgjedhjet e 11 qershorit, është tregues se mund të lëvizet në atë drejtim, pra që qytetarët të votojnë për një kuvend më të fortë e rrjedhimisht edhe për një qeveri më të fortë e më nacionale. Retorika antiserbe e Ramush Haradinajt, në këtë mes, është tharmi i një qasjeje të re, mobilizuese, që u duhet shqiptarëve të Kosovës për periudhën që vjen. Pa fuqizimin e një qëndrimi kundër Serbisë, nuk mund të fuqizohet shteti i Kosovës, sepse shteti nuk ka truall të fortë nën këmbë. (Sloganet për integrimet evropiane, janë të thata e nuk arrijnë të mobilizojnë shumë.) Madje as nuk mund të dilet nga pozita neokoloniale, ku janë katandisur institucionet e Kosovës dhe shoqëria e Kosovës. Pra, shtetasve, shqiptarëve në rend të parë, duhet t’u ofrohet një platformë e qartë nacionale, që të mund të identifikohen me shtetin e Kosovës, sepse ata, kur kanë luftuar për Kosovën, e kanë konceptuar dhe idealizuar si një shtet shqiptar, e jo si një krijesë artificiale e neokoloniale, me mbitheksim të të drejtave të pakicës serbe e me ndikimin e vazhdueshëm të Serbisë mbi të.

NATO mund ta rikthejë mitin e ushtarit shqiptar 

E dyta, partnerët srategjikë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian, pas këtyre zgjedhjeve, duhet ta ndryshojnë formatin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës. Ato duhet të ndihmojnë fuqizimin e institucioneve dhe të Kosovës si shtet e ta braktisin konceptin që Kosovën ta mbajnë nën tutelë, nën kontroll, nën diktat. Veçmas kjo ka të bëjë në raport me serbët e Kosovës dhe me Serbinë si shtet, sepse Kosovës i është imponuar një pozicion pothuajse poshtërues në këto relacione. Nuk mund të mbahet më në këmbë koncepti që stabiliteti i institucioneve të Kosovës (edhe formimi i ushtrisë së Kosovës) të varet nga humori i serbëve lokalë dhe nga qeveria e Beogradit. SHBA dhe NATO-ja duhet ta ndihmojnë formimin dhe fuqizimin e ushtrisë së Kosovës, sepse shqiptarët kanë motivet më të forta të kundërvënies ndaj orekseve pansllaviste ruse në Ballkan. Fjala vjen, ushtarët hungarezë. holandezë a çekë mund të mos kenë motive të forta të shkojnë në luftë kundër agresioneve ruse, por shqiptarët kanë motiv të fortë për një gjë të tillë, në çdo kohë. Pra, duhet ta kuptojnë se fuqizimi i shqiptarëve në këtë aleancë, është jo vetëm fuqizim i krahut jugor të NATO-s, po fuqizim i saj gjithandej ku ajo mbron botën e lirë nga agresionet pansllaviste. Thënë edhe më thjesht, me Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë në NATO, faktori usharak shqiptar bëhet shumë i fuqishëm dhe shumë kredibil dhe e kundërbalancon me sukses të plotë fuqinë ushtarake serbe në rajon. Fuqia e shqiptarëve në shërbim të NATO-s, në atë rast, mund të bëhet pak a shumë si fuqia e tyre ushtarake në kohën e Perandorisë Osmane, fuqi mbi të cilën ajo për shekuj pati qëndruar në këmbë. Nëse këto zgjedhje parlamentare të 11 qershorit 2017 japin një kuvend e një qeveri të fuqishme proNATo e proBE, ndryshimi i konceptit të aleatëve strategjikë ndaj shtetit të Kosovës, mund të ndodhë më shpejt e më lehtë. Në atë rast formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës mund të ecën më shpejt, armatimi i saj mund të bëhet më i plotë, inkuadrimi i Kosovës në Partneritetin për Paqe mund të përshpejtohet.

Serbia e kupton më lehtë gjuhën e Haradinajt

E treta, edh qëndrimi i armiqve të Kosovës, Serbisë e Rusisë në rend të parë, po edhe i Kinës, Greqisë, Spanjës, Sllovakisë, Qipros e Rumanisë, mund të ndikohet nga rezutati i këtyre zgjedhjeve. Nëse në krye të qeverisë së re të Kosovës vjen një person i fortë si Ramush Haradinaj, ndërsa kryetar i Kuvendit mbetet Kadri Veseli, Serbia e kupton më lehtë se të gjitha investimet që ka bërë për ta rritur ndikimin e saj në politikë, në medie e në shoqërinë e Kosovës pas vitit 1999, i kanë shkuar dëm. Nëse në krye të qeverisë vjen personi të cilin ata e kanë ndjekur me lloj-lloj “poternicash”, ata e kuptojnë më lehtë se Kosova më kurrë nuk mund të kthehet nën kontrollin serb e rus. Bile, me Haradinajn kryeministër, Serbia do të detyrohet të bisedojë me tone të tjera me Kosovën, nëse synon integrimin në Bashkimin Evropian. Thjesht, nuk mund të llogaritë në intrumentet që ka përdorë deri tash, destabilizim e mbase edhe korruptim të disa akterëve politikë. Detyrohet ta kuptojë faktin që Kosova është shtet i pavarur, funksionon si i tillë dhe që armiqësia me të nuk paguhet, pasi ai bëhet pjesë integrale e NATO-s dhe e BE-së. Por, në rast se do të fitonte blloku tjetër, në atë rast Serbia vërtet do të ndihej e trimëruar që t’i vazhdojë intrigat dhe presionet kundër Kosovës. Me një autsajder si Abdullah Hoti, me një aventurier si Behxhet Pacolli dhe me intrigantë si Mimoza Kusari-Lila e Ilir Deda, mundësia e ndikimit serb mbi qeverinë e Kosovës do të ishte edhe më e madhe se sa mbi qeverinë e Isa Mustafës. Prandaj, këto zgjedhje të parakohshme janë shumë të rëndësishme në të tre këta drejtime. Dështimi i Isa Mustafës e pati këtë të mirë, që përshpejtoi konsumimin e iluzioneve që punët bëhet me inercion, me improvizime, që shteti forcohet pa marrë vendime. Kjo më nuk pi ujë. Zgjedhjet e 11 qershorit 2017 do të tregojnë nëse Kosova do të fuqizohet nga brenda e do të bëhet partnerë kredibilë me SHBA, NATO e BE e t’i bindë ashtu armiqtë se nuk do të zhbëhet kurrë, ose do të tregojnë se si do të thellohet kriza, si do të rritet dyshimi i aleatëve në mundësitë e Kosovës e si do të rriten apetitet e armiqve, për ta gllabëruar në kthesën e parë të ndryshimit eventual gjeopolitik në favor të pansllavizmit. Për këtë arsye këto janë zgjedhjet më të rëndësishme të Kosovës, që nga viti 2000 e deri sot.